Për granat të vendosur tek avokati

 

foto gjyq

Akti kriminal që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës me rastin e vendosjes së granatës në zyrën e avokatit Xhevat Bici, në lagjen “Aktash” në Prishtinë

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) dënon ashpër aktin kriminal që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, me rastin e vendosjes së mjetit shpërthyes nga persona të panjohur në zyrën e avokatit, Xhevat Bici, në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

OAK është e shqetësuar lidhur me rastet e kanosjeve, sulmeve fizike  dhe kërcënimeve që janë duke u bërë ndaj avokatëve kohëve të fundit.

 Konsiderojmë së çdo akt i drejtuar kundër avokatit derisa ai e ushtron profesionin e vet, është njëkohësisht edhe kundër avokatisë dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, e cila po bën përpjekje të vazhdueshme për krijimin e rendit dhe vënien e sundimit të ligjit.

 Ata që ngrenë dorën mbi një avokatë, ngrenë dorë mbi lirinë dhe pavarësinë e drejtësisë në Kosovë, mbi të tanishmen dhe të ardhmen e sistemit dhe sigurisë së qytetarëve.

 Mjetet shpërthyese nuk janë rastësi. Ato janë një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane. Por, pavarësisht kësaj ne do të qëndrojmë dhe nuk do të dorëzohemi nga çfarëdo kërcënimi për të arritur synimin e shumë gjeneratave për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Do e mbrojmë profesionin e avokatit, siç mbrohen në tërë botën e civilizuar e demokratike.

 Ata që janë përgjegjës për sigurinë në Republikën e Kosovës duhet të jenë përgjegjës edhe për sigurinë e institucioneve të drejtësisë, pa përjashtuar edhe avokatet, dhe këtë duhet ta bëjnë sa më parë. Nuk ka më vend për hezitim. Nuk do të mundet askush të krijojë panik dhe të na largojë nga rruga e pavarësisë së sistemit të drejtësisë me kurrfarë çmimi. Nuk mjafton të deklarohemi se jemi të indinjuar për rastet që po ndodhin, por duhet punuar pa ndërprerë për të realizuar një siguri për të gjithë, për të zhvilluar shtetin e Kosovës dhe për të arritur një shkallë të lartë të demokracisë dhe të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

 Prandaj, duhet t’i zbulojmë vrasësit e lirisë dhe të pavarësisë së avokatisë dhe të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, duhet të zbulohen edhe ideatorët dhe projektuesit e këtyre akteve kriminale. Është ora e fundit ta bëjmë këtë.

Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit të avokatit dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike. /LajmeOnline/