PDK-ja keqpërdori 1 milion euro për militantë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shtuar aktivitetet e saj kohëve të fundit. Zyrtarë të kësaj partie, kësaj radhe kanë akuzuar partinë në pushtet për keqpërdorim të fondit me kuadro.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës po keqpërdorë fondin për kuadro duke ndarë atë në bazë partiake kanë përmendur si rast eklatant Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të kësaj ministrie sipas zyrtarëve të LDK-së marrin shtesa në emër të fondit të kuadrove nga 250 deri në 500 euro në muaj mbi pagën e tyre bazë. Këto shtesa sipas tyre janë të barabarta me dy paga mesatare të një shërbyesi civil.

“z.Kusari-Lila e ka shfrytëzuar edhe pozitën e saj si kryesuese e Komisionit të Fondit për Kuadro për të shpërblyer bashkëpunëtorët e saj, shumica e të cilëve janë të AKR-së dhe vijnë nga komuna prej nga vjen ajo. Disa nga personat e përfshirë në këtë skemë janë të tillë që sapo kanë filluar punën dhe nuk kanë asnjë përvojë. Disa të tjerë janë pa ndonjë ngritje të veçantë profesionale”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie përmes një komunikate për media.

Sipas tyre nëpër ministri të ndryshme, persona me thirrje të njëjtë profesionale paguhen ndryshe varësisht nga afërsia e tyre me partitë në pushtet.