Patrullimet serbe vazhdojnë, Prishtina hesht

“As të hënën nuk kanë munguar provokimet nga xhandarmëria serbe, që kanë patrulluar me motorë në pikën tek Ugari në Karaçevë”, ka thënë kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli. Shqetësimet për provokimet e xhandarmërisë serbe kreu i Kamenicës të hënën ua ka paraqitur zyrtarëve të KFOR-it amerikan.

Surdulli tha t’i ketë kërkuar majorit amerikan, Jonathan T.Hrtsock, që t’i ndalë provokimet serbe.

“Morëm premtime se shqetësimet e banorëve do të ngrihen në nivelin qendror në kuadër të forcës së KFOR-it, në mënyrë që në të ardhmen xhandarmërisë serbe mos t’i lejohet hyrja në territorin e Kosovës”, ka thënë Surdulli, shkruan Koha Ditore.

Pas zhvillimeve të fundit KFOR-i poashtu është zotuar se për caktimin e pikës kufitare do ta angazhojë departamentin i cili më herët është krijuar për implementimin e Marrëveshjes së Kumanovës./LajmeOnline/