Pasurohet Wikipedia me informata për Kosovën

loading...

kosova

loading...
Ka përfunduar projekti ‘Wikiakademia”, një projekt ky i trajnimit të të rinjve për përdorimin e enciklopedisë më të madhe në botë “Wikipedia”, që ka pasur për synim shtimin e informatave për Kosovën në këtë resurs të vlefshëm informativ.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin IPKO, shoqatën kosovare “Open source FLOSS” dhe ambasadën e Norvegjisë në Kosovë kanë përfunduar garën e madhe kombëtare dhe ciklin e trajnimeve “Wikiacademy”.

Kjo garë është organizuar në kuadër të Strategjisë për Diplomaci Digjitale të Ministrisë së Jashtme dhe ka mundësuar pjesëmarrjen e mbi 200 garuesve të cilët janë shpërblyer me një fond total prej 10.000 euro shpërblime.

Nga 57 artikuj të ri për Kosovën dhe veçoritë e saj, 3 ishin fitues kryesorë. Artikulli mbi Teknologjinë Informative të Kosovës nga Dardan Ahmeti, pastaj për Muzikën Klasike në Kosovë nga Liburn Jupolli, Edona Vatoci dhe Mic Sokoli, ndërsa fitues ishte edhe artikulli për Arkeologjinë e Kosovës nga Atdhe Prelvukaj.

Po ashtu u përzgjodhën dhe fotot më të mira për Kosovën në “Wikipedia”. Fitues kryesor u shpallën: Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, deklaroi se një nga problemet kryesore me të cilat përballet diplomacia kosovare është edhe mungesa e informatave nga Kosova dhe jo vetëm politike, por edhe të dhëna për kulturën, artin, ekonominë dhe jetën e përditshme të kosovarëve për t’i thyer paragjykimet, por edhe për të promovuar pozitivisht Kosovën me informata të sakta enciklopedike.

Ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu tha se ky është ndër projektet më të qëlluara që kanë bashkëfinancuar, duke inkurajuar participuesit të mbesin edhe një kohë të gjatë në “Wikipedia” për t’i kundërshtuar propagandistët që nuk ia duan të mirën Kosovës.

Theresa Crawford nga “IPKO” Fondacioni tha se “WikiAkademia” është një projekt që po organizohet në vazhdën e projekteve invoative si “AppCamp” dhe “InstaKosova” që synojnë të përmbushin zbrazëtirën e identifikuar në portalet online për Kosovën.

loading...