Pas goditjes fatale, Neymar rikthehet

Mund të quhet një mrekulli, emrin vendoseni si të doni. E vërteta është se Neymar deri tani i ka habitur të gjithë me rikuperimin e shpejtë dhe të shëndetshëm pas asaj goditjeje fatale që mori në shpinë nga Zuniga gjatë Kupës së Botës. Nën shoqërinë e të dashurës Bruna Marquezine, ylli brazilian mbërriti nga Sao Paulo në aeroportin El Prat të Barcelonës, shumë më herët se çdo parashikim për të vazhduar edhe disa ditë të tjera pushim në Ibiza dhe për t’u rikthyer më pas nën vigjilencën e klubit. Te Barça e pret një fizioterapist, i cili do të jetë i tëri në dispozicion të Neymar, ndërsa nuk do të mungojnë kontrollet e vazhdueshme mjekësore. Gjjithsesi nga vendi i tij vjen një lajm që ndez zemrat e çdo braziliani dhe tifozi të blaugranave. Përkundër çdo parashikimi, Neymar mund të rikthehet në fushë që më 18 Gusht për trofeun Gamper, ndërkohë që ekzistonte frika se 22-vjeçari mund ta humbiste fillimin e sezonit.

Rikuperim i rrufeshëm, por nuk mjaftohet me kaq Neymar. 90% forcë mendore dhe 10% forcë fizike, kështu ua përkufizojnë trajnerët sportin lojtarëve, por braziliani është një rast unik krejt më vete sepse për të, futbolli është 90% instikt. Një skanim që i është bërë trurit të Neymar tregon se aktiviteti në momentin që luan është gati 10%, aq sa tek një lojtar amator. Duke analizuar këto të dhëna, neurologu japonez Eiichi Naito mendon se në rastin e Neymar, më pak aktivitet në tru do të thotë aftësi për të bërë më shumë lëvizje komplekse në të njëjtën kohë. E thënë edhe më thjeshtë, konkluzioni është vërtet impresionues, ylli brazilian i Barçës lojën e tij magjike në fushë e bën në mënyrë instiktive dhe jo duke bërë llogaritje me mendjen e tij. Naito dhe kolegët e tij besojnë se të njëjtin rezultat mund të marrin edhe nga Lionel Messi e James Rodriguez, duke patur parasysh teknikat dhe artin e tyre të lëvizjes me topin në fushë.