Pas futbollit, Shqipëria synon t’ia ‘vjedhë’ Kosovës edhe basketbollistët


Pas Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë po synon t’ia marrë lojtarët përfaqësueses së Kosovës.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka konfirmuar se trajneri qipriot Antonis Constantinides ka kontaktuar lojtarë që pritet të luajnë për Kosovën dhe u ka ofruar atyre mundësinë që të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret për “Eurobasket 2017”.

Constantinides është trajner i Sigal Prishtinës dhe po ashtu përzgjedhës i Shqipërisë në basketboll. FBK-ja është informuar që Constantinides ka kontaktuar me lojtarë që bëjnë karrierë në Kosovë, që pritet të ftohen nga Kosova dhe që kanë konfirmuar se do të luajnë për Kosovën.

Por, Federata kosovare nuk shprehet e brengosur për këtë dhe nuk frikësohet se Kosovës mund t’i ikë ndonjë lojtar i rëndësishëm. Atë që ka bërë Constantinides e sheh si ambicie të trajnerit e jo politikë të Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Drejtuesit e FBK-së dhe të Federatës Shqiptare të Basketbollit të martën kanë pasur takim në Prishtinë. Sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha, ka thënë pas takimit se janë sqaruar gjërat për çështjen e lojtarëve dhe Constantinides më nuk do t’i kontaktojë lojtarët nga Kosova.

“Në takim është konstatuar se kontakti që ka pasur Constantinides me lojtarët nga Kosova ka qenë ambicie e tij si trajner e jo politikë e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Këtë çështje e kemi qartësuar. Ai nuk do t’i kontaktojë më lojtarët e Kosovës që do të luajnë për Kosovën”, ka thënë Hoxha për Kohën Ditore.
kosova_1460534691-9858729