Organizatori Saimir Kuçi: Dafina Zeqiri m’i ka borxh 2 000 euro

f1_06-saimir-kuci1357497695

Nga viti 1994, Saimir Kuçi punon si organizator mbrëmjesh dhe koncertesh në vendet skandinave, por incidenti me Dafina Zeqirin është i pari që i ka ndodhur. I ka paguar paradhënie për të mbajtur dy koncerte në Suedi dhe Danimarkë, por në mbrëmjen e dytë ajo ka shkelur marrëveshjen në mënyrë të dyfishtë; ka munguar në koncert, si dhe nuk i ka kthyer mbrapsht 2 000 eurot e paradhënies.

Gazeta Panorama e Tiranës ka zhvilluar një intervistë me Saimir Kuçin, të cilën po e transmetojmë:

Për një kohë të gjatë janë përfolur koncertet e parealizuara në Suedi të Dafina Zeqirit, mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur më saktësisht?

Mbrëmjen e 29 janarit 2011në Suedi e realizuam, ndërsa mbrëmjen e parashikuar më datë 30 janar 2011 në Kopenhagë e mbajtëm, por pa Dafinën. Ajo na mori paratë dhe nuk erdhi.

Pse nuk erdhi, a kishit rënë dakord më parë me Dafinën?

Po, kishim rënë dakord me Krenar Çoçajn, ish-menaxherin e saj dhe ish-të dashurin. Dafina na e prezantoi Krenarin në një bisedë telefonike si të fejuarin dhe menaxherin e saj, me të cilin ramë dakord për koncertet dhe bëmë marrëveshjet përkatëse.

Çfarë përmbanin marrëveshjet?

Nëpërmjet telefonit ramë dakord për dy mbrëmje, një në Suedi dhe një në Danimarkë me nga 2.500 euro. Unë dhe bashkëpunëtori im ia kemi dhënë paratë menaxherit të saj, në prezencë të njërës prej motrave të Dafinës.

Pra, ju paguat paradhënie për koncertin?

Po, paguam paradhënie 2000 euro, por më pas na doli nga fjala. Atë natë ndodhi një debat mes disa personave dhe menaxherit të Dafinës për disa mosmarrëveshje që kishin pasur më parë në Kosovë. Biseda që nuk kishin të bëjnë aspak me ne dhe organizimet tona. Më vonë, ata që debatuan, i përcolla jashtë dhe e kishim lënë të takoheshim ditën e nesërme, që të shkonim në Kopenhagë për mbrëmjen e dytë. Ishte ndarje shumë miqësore, por të nesërmen Dafina nuk u paraqit sipas marrëveshjes.

Pse nuk e padisni sipas ligjit?

Nuk mund t’i bëj padi, pasi marrëveshja nuk u bë me shkrim. Megjithatë, ne kemi plot dëshmitarë. Bisedat kanë ndodhur në prezencë të humoristëve Stupcat, këngëtarit Sinan Hoxha, por edhe të artistëve të tjerë të estradës. Dafina Zeqiri duhet të na kthejë patjetër paratë. Gjatë verës kam tentuar të takohem me menaxherin e saj Damir Jahic Çekiç, që Dafina të vijë tek unë në koncerte dhe të mbajë dy mbrëmje. Në të kundërt, këngëtarja le të shlyejë borxhin pjesë-pjesë, por duhet ta paguajë patjetër.