“O Gim, ia dole të m’i prishësh pushimet!” Një përgjigje për tenorin e vetëmohuar shqiptar

loading...

loading...

Kam gjysmë ore që nuk po di si t’i drejtohem personazhit Agim Hushi: I dashur Agim; i nderuar zoti Hushi… apo si?

I dashur nuk je, sepse s’jemi të afërt, madje nuk njihemi fare, i nderuar jo e jo Agim dhe ti e di më mirë se unë këtë, por nëse ke harruar, po ta kujtoj ty dhe atyre shqiptarëve që i trushpëlave ti me atë deklaratën tënde se do ikësh nga ky vend i fëlliqur. Po të qoftë udha e mbarë o Gim, se si artist nuk do t’i mungosh askujt se ke vite që i ke larë duart me artin në këtë vend.

Të gjithë e dimë Gimo që ti aspiroje postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe meqë s’ta dhanë, se për ta marrë ta harroje me atë platformën tënde amatore që e kishe n’men, se kështu prej vërteti s’ta pamë gjëkundi, u hodhe papritmas kundër qeverisë, kundër Ministrisë së Kulturës dhe ca tenderave milionësh që po menaxhoheshin prej saj, sipas teje. Çfarë nuk bën vaki, por jam kurioze Gimo, nëse do të të kishin bërë drejtor, a do t’i gjeje gjëkundi këllqet për t’i thënë këto? Pastaj, nga rilindës i pakënaqur dhe i pashpërblyer, zure vend si spektator te çadra e Bashës, Gimo. The që nuk ishte inat personal, por unë prapë pyes veten: ku do t’i gjeje këllqet ti Gimo për me shku’ te çadra nëse do të të kishin bërë drejtor? Pastaj i bëre një përmendore Edi Ramës, që s’ta harroi ditëlindjen dhe të uroi e të bëri dhuratë, edhe pse të kishte parë të çadra. Ti e festove ditëlindjen me: (po të citoj ty ) “Kjo është Shqipëria që duam. S’ia vlen të mbjellim palma dhe të shkulim shpritra njerëzish. Unë po festoj sot me verën e zotit Rama freskimin e qeverisë me ministrat teknikë…”. A e di kur e ke thënë këtë Gimo? Në fund të majit të këtij viti! Çfarë ndryshoi mor burr’ vetëm dy muaj më pas që u ktheve te: (po të citoj sërish) “…termat seriozë të realitetit të një atdheu të dështuar që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminale…”?

Po ku ishe ti deri para tetë javësh, o i madhi Agim Hushi, kur thoshe se kjo është Shqipëria që duam? Përse e bëre? Për atë shishen e verës që të solli kryeministri për ditëlindje? Apo mendove se i kthjellove ujërat e trazuara me pushtetin dhe kur e pe që ishte veç një mendim për ditëlindje, u hodhe në sulm?

Po kush je ti o i madhi Agim Hushi që na tregon neve që kemi vendosur të jetojmë këtu se ky është një vend i ndyrë dhe i pashpresë? Ç’faj të ka vendi o i madh? Fajin e kanë njerëzit, produkte të urrejtjes së njerëzve që veprojnë si ti. Ata që ushqehen kështu, rrihen, pështyhen, masakrohen, vriten rrugëve të këtij vendi. Prej njerëzve që flasin kështu për këtë vend e për këta njerëz m’u nxi jeta mua, o artist, dy vjet më parë, kur më akuzuan se kisha vjedh’ rimel e antidjesë në supermarkatë në Itali. M’u desh t’u shpjegoja “talianëve” që nuk kanë faj pse besojnë se çdo zullum e bëjnë shqiptarët, por që s’kanë të drejtë të mendojnë se me të thatin duhet të digjet edhe i njomi. Po unë vetëm para dyzet e tetë orësh shkrova një artikull mbi sterrën e zemrave tona që veç lëndon tjetrin, o artist. Nuk e di ku e ke parë e ku e ke mësuar, por unë nuk kam dëgjuar kurrë artist të flasë me gjuhën e urrejtjes si ty, përkundrazi: një prej detyrave të tyre është edhe të frymëzojnë. Dhe frymëzimi vjen prej dashurisë o artist, edhe asaj më të pamundurës e dhimbjes, por gjithsesi prej dashurisë.

Ne e dimë shumë mirë në ç’vend jetojmë, por ti je i fundit për të na e treguar!

Si fodull që je, po pyet veten kush është kjo spurdhjake që më drejtohet mua: mua që kam punuar në Vjenë, mua që jam ftuar të drejtoj operën e Singaporit, mua që kam mbaruar dy universitete…mua…mua… mua….

Ta them unë o artist! Jam një si shumë prej qindra njerëzve në këtë vend, që kanë mbaruar me rezultate po aq të mira sa ty, madje edhe më të mira, dy universitete, mastera, edhe jashtë dhe nuk pritëm kurrë asgjë në këmbim. Ka ende njerëz në këtë vend që mendojnë: “Përpara se të kërkosh të bëjë diçka vendi për ty, bëj ti diçka për vendin”. Nuk u kapa kurrë pas ndonjë partie, edhe pse kanë dashur të më rekrutojnë që kur isha ende në gjimnaz, këtu e njëzet vjet më parë, për të arritur qëllimet e mia. A meritoj më shumë unë e mijëra të tjerë? Patjetër që meritoj! Por kam zgjedhur lirinë time dhe nuk dua t’i jap mundësinë askujt të më kapë prej mënge e të më thotë: E drodhe se t’u prishën interesat e tua. Të rinjtë e familjes sime thonë: Ti je shembulli që në këtë vend mund të jetohet dhe ti s’ke të drejtë t’u prishësh atyre modelin. Mblidh rraqet dhe ik andej nga Australia JOTE, që ta kanë lënë trashëgim stërgjyshërit, por mos bëj zhurmë. Nëse ky vend është i vogël e të rri ngushtë, ik, se ka kolegë të tutë që kanë shkëlqyer më shumë se ty dhe kthehen krenarë në këtë tokë, sepse kanë familjen, kanë të afërmit, shoqërinë, shtëpinë ku kanë lindur, janë rritur, rrugicat ku kanë gjakosur gjunjët miliona herë. Njerëzit janë të lirë të jetojnë ku të duan, sepse siç ka thënë Remarku: “Qyteti më i bukur në botë është ai ku njeriu rron i lumtur”. Ndaj sigurisht që është patetike të bëjmë patriotin, nacionalistin, por jo të vjellim vrer dreqi e mori!

E mora vesh që Shqipëria nuk është atdheu yt o i madh se ti ke lind’ poshtë këmbëve të Eiffelit, por s’mora vesh atdhe cilin ke? Një herë pate thënë që po të pret atdheu yt i dytë Kina, tani na doli “Australia jote”. Po mirë që do shkosh atje, po ç’do bësh? Lexova një intervistë të vjetër tënden ku thoshe se “pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, njoftoj se me “Toskën” mbyll karrierën time operistike”. Dhe në fakt e vërtetova se hyra të kontrolloja kalendarin tënd tek operabase.com. Pashë kalendarin e Ermonela Jahos, Saimir Pirgut, Gëzim Myshketës etj. etj., kurse ti hiç, bosh, faqe e bardhë borë. Le karrierën apo të la ajo ty?

O Gim, ia dole të m’i prishësh pushimet, ia dole të më mbushësh me mllef… Habitem me veten se si një artist arriti të më inatosë mua që e kam kokën sa fillon sezoni e deri kur mbaron në opera, në teatër, në koncerte. Një artist edhe mizerien më të madhe ta zbukuron, edhe shpirtin më të përvuajtur ta zbut…edhe me dramën më të madhe të të gjitha kohërave, sërish të ushqen, edhe protestën ta servir paqësisht, sepse e konsideron kauzën më të madhe se vetja, kurse ti…ç’të të them?

Shko te Australia JOTE! Po vdes nga kurioziteti sa “birin e saj” do të të konsiderojë./Shkrim nga Kozeta Kurti

loading...