Nxënësit shqiptar i bie shorti për ngritjen e flamurit grek në festën e çlirimit, grekët bojkotojnë paradën

Ngritja e flamurit për përvjetorin e çlirimit të qytetit të Kozanit në Greqi do të bëhet nga një nxënës shqiptar, dhe për këtë arsye prindërit e fëmijëve të tjerë kanë kundërshtuar dhe nuk do të lejojnë fëmijët të marrin pjesë në paradë.

Qyteti i Kozanit në Greqi në 11tetor qyteti do të festojë çlirimin dhe nëpër shkolla është zhvilluar shorti për caktimin e nxënësve të shkollave të cilët do të ngrenë flamurin grek ditën e paradës së përvitshme.

Sipas Kozanimedia, shorti i ra një nxënësi shqiptar, i cili sipas mediave është nxënës i dobët dhe sipas shumë prindërve të tjerë grekë ai nuk është i denjë për të ngritur flamurin pasi është shqiptar.

Prindërit protestojnë duke mos paraqitur fëmijët e tyre as në paradën e qytetit në 11 tetor e as në paradën kombëtare në 28 tetor, nëse ngritës dhe mbajtës i flamurit do të jetë një nxënës shqiptar.

Ka dhe disa prindër të cilët kanë problem që fëmija është shqiptar dhe dëshirojnë që flamurin ta ngrenë në paradë vetëm fëmijë të lindur në Greqi.

Për herë të parë në Greqi Ministria e Arsimit ka publikuar një vendim ku shprehet se flamurin grek ditën e Çlirimit do ta ngrenë nxënës me short dhe jo në bazë të vlerësimit të notave si ka qenë më parë, për të ruajtur një klimë harmonike dhe të barabartë mes nxënësve të klasës.