Nuk ndihmohet Presheva duke dëmtuar varrezat

loading...

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka thënë se dëmtimi i varrezave ortodokse në Kosovë, si reagim ndaj zhvillimeve në Luginë të Preshevës është i papranueshëm.
Ai i tha Radio Kosovës se kjo është mënyra më e keqe se si t’i ndihmohet Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Demaçi ka përjashtuar mundësinë e përsëritjes së trazirave të vitit 2004, ngase sipas tij nuk ka asnjë arsye për një gjë të tillë.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi konsideron se reagimi i një grupi njerëzish, duke dëmtuar varrezat ortodokse në Kllokot dhe Prizren, si hakmarrje pas largimit të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, është i papranueshëm.

Demaçi vlerëson se me këto sjellje nuk i ndihmohet as Kosovës e as Preshevës, pasi Kosova nuk është në luftë me popullin serb.

“Ky është një hap i gabuar sepse nuk jemi në luftë me popullin serb, ne nuk kemi probleme me popullin serb. Nuk është populli serb ai që e ka hequr atë përmendoren tonë të luftës në Preshevë. Aty u pa xhandarmëria që e hoqën, edhe ata nuk po mendojnë se vetvetes po i bëjnë dëm. Ajo garniturë e atyre që janë në pushtet në serbi janë njerëz që donë të jenë në pushtet, që për këtë donë ta fitojnë simpatinë e popullit, por unë jam i bindur që populli serb është lodhur me punët e Kosovës dhe të kundërshtimit të të drejtave të shqiptarëve dhe ata nuk kanë fituar kurrgjë, hiç…” thotë Demaçi.

Ai e vlerëson edhe reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj këtyre sjelljeve, por mohon mundësinë e përsëritjes së trazirave të vitit 2004.

“Nuk ka arsye të përsëritet ajo, sepse në 2004 ajo ka qenë një lloj kryengritje që ka qenë kundër zhagitjes që e bënte Evropa, kundër atij plani paraprak që ishte për një autonomi për Kosovën. Kështu që janë përzier disa njerëz që nuk marrin vesh nga politika, unë i kuptoj , edhe vetë jam mllefosur edhe të gjithë jemi mllefosur, të gjithëve na ka ardhur keq dhe të gjithë jemi mbushur helm për atë që bënë ata çetnikët në Preshevë, por kjo është më e keqja mënyrë se si ti ndihmohet çështjes tonë dhe atyre vëllezërve në Preshevë”, tha ai.

Dëmtimin e varrezave ortodokse në Kllokot dhe Prizren e dënuan edhe zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkohë Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për qetësi në Luginën e Preshevës, duke theksuar edhe nevojën e pajtimit ndërkombëtar e rajonal në Ballkanin Perëndimor. /LajmeOnline/

loading...