Nuk ka faj Rasmussen, Qeveria nuk e do Ushtrinë

Anëtari i Komisionit parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Rexhep Selimi ka thënë se nuk është faji i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussenit që nuk e përmendi fare shndërrimin e FSK-së në ushtri. Sipas tij, Qeveria e Kosovës në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë nuk e ka paraparë Ushtrinë e Kosovës, dhe rrjedhimisht nuk do të duhej të pritej që Rasmussen të tejkalonte synimet e qeveritarëve të Kosovës.
“Në Komision, gjatë raportimeve të ministrit të FSK-së, Agim Çeku, i cili e udhëheq planin e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, nuk e kemi dëgjuar të thotë se çfarë është duke bërë për realizimin e kësaj aspirate të qytetarëve të Kosovës. Ka qenë e ditur që ministri i FSK-së, madje as nuk e përmend fjalën ushtri”, ka thënë Selimi, për Telegrafin.

Sipas Selimit, në pesë parimet e MSFK-së që ministri Çeku i ka paraqitur para Komisionit për Siguri, të gjitha kanë të bëjnë ekskluzivisht me FSK-në, që i bie që ka plane për FSK-në e jo për ushtrinë.

“Për këto arsye nuk do ta fajësoja Rasmussenin, sepse ai nuk e ka gjetur të shkruar askund në dokumentet e qeveritarëve të Kosovës. Do të duhej që së paku të përmendej. Edhe në kaluarën kur ne kemi qenë shumë larg për të bërë ushtri, asnjëherë nuk kemi reshtur së kërkuari që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, edhe kur ka qenë TMK-ja”, ka thënë Selimi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri prej ish komandantëve të UÇK-së.

Selimi ka vlerësuar se edhe sikur qeveritarët e sotëm të vlerësonin se jemi larg ushtrisë, së paku nuk do të duhej që të hiqnin dorë nga kërkesa për të bërë ushtri, për shkak se kjo nuk është thjesht dëshirë e tyre, por është kërkesë e qytetarëve të Kosovës.

“E keqja është se tash edhe kur të tjerët thonë përse nuk ka kërkesa për ushtri, këta qeveritarë nuk e bëjnë. Nuk është agjendë ndërkombëtare mos bërja e ushtrisë së Kosovës. Kjo është agjendë e Qeverisë së Kosovës dhe e ndonjë faktori që unë nuk e njoh”, ka theksuar Selimi.

Sipas tij, heshtja e qeveritarëve për ushtrinë është njëra prej të këqijave që vijnë prej procesit të bisedimeve me Serbinë.

Rasmussen kishte theksuar se nuk kishte dëgjuar deklarata nga autoritetet e Prishtinës të cilat japin indikacione se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohej në ushtri.