Nuk jam i aftë si mashkull!

Deri tash u martova dy herë me vajza të reja dhe shumë të bukura, por asnjëherë atyre s’pata mundësinë t’ua merrja virgjërinë, e lëre më të kem fëmijë me to. E ato, për të ruajtur moralin dhe dinjitetin, asnjëherë nuk e treguan të vërtetën e bashkë me to as unë. Por, më nuk po mund ta mbaj në shpirt, sepse po më mundon fakti se i mora në qafë, shkruan R. D.

Sekreti nuk po u mbajka gjithmonë. Isha djalë i pashëm dhe i takoja një familje të pasur dukagjinase. Në rininë time familja vendosi të më martonte, kuptohet, sipas traditave të kohës, por duke respektuar edhe pëlqimin tim. Më fejuan me një vajzë të bukur, e cila edhe ajo ishte e një familjeje të pasur dhe të njohur në anën tonë. Pas një viti vendosëm edhe të martohemi.

Nga gëzimi që kishin prindërit e mi bën dasmë të madhe. Dasma, meqë ishte nxehtë, u organizua në oborrin e madh të shtëpisë sonë. Por, po atë ditë, te unë filloi një dyshim në vetvete, sepse asnjëherë nuk kisha bërë seks me askënd… Martesa e parë – pa sukses! Kur krushqit e sollën nusen, në oborr filluan dajret, e bashkë me to edhe këngët e vajzave, derisa ra terri.

Pasi që krushqit hëngrën darkë, filluan të shpërndaheshin, kurse unë nga lodhja as që mund të qëndroja ulur e lëre më në këmbë, siç e donte zakoni. Pas darke djali i axhës më grushtoi dhe më shtyri të hyja në dhomën ku ndodhej nusja. Nata e parë ishte pa sukses. Por, kështu ishte edhe nata e dytë, e treta e kështu me radhë, kur edhe e humba besimin në vetvete.

Një natë desha t’i them nuses sime shko dhe gjeje fatin tjetër, por goja m’u mbyll dhe zë nuk nxora dot. Kështu, me gruan e parë vazhduam rrafsh dy vjet dhe, më në fund, ajo vetë kërkoi ta liroja dhe ashtu u bë…

Edhe martesa e dytë – si e para!

Një vit pas ndarjes nga gruaja e parë, familja më fejoi përsëri me një vajzë të bukur, por që këtë herë nuk ishte prej familjeve të njohura të vilajetit tonë. Nuk kisha si të kundërshtoja, meqë asnjëherë në familje nuk e kisha hapur problemin tim. Dhe, erdhi edhe dita e dasmës. Me kërkesën time nuk bëmë dasmë, por shkuan familja ime dhe dajallarët e mi dhe e morën nusen me dy vetura dhe e sollën në shtëpinë tonë. Edhe atë natë, kur hyra dhëndër për të dytën herë, tërë nata shkoi vetëm me përqafime e ledhatime, puthje e shtrëngime…

Nejse, thashë me vete, ndoshta natën tjetër do të kryej punë… Por, fatkeqësisht, as natën e dytë e as të tretë nuk arrita ta kënaqja partneren time. Dhe, pa ia marrë kurrë virgjërinë jetova me të tre vjet, derisa një ditë, ndoshta nga mërzia, u sëmur dhe vdiq në spital. Pas vdekjes së saj, jeta ime shkoi keq e më keq. Çdo ditë shëndeti im keqësohej.

E, natën ëndrrat s’më linin rehat. Vazhdimisht edhe tash i shoh ëndërr fytyrat e të dy grave të mia, duke më akuzuar pse nuk isha i aftë ta kryeja punën si burrë, si mashkull… Por, edhe, tash, kur edhe i kam bërë bukur do vjet, ende më brengos fakti pse i mora në qafë të dy gratë e mia…/R. D.