Nuk i dhashë fëmijë, por ende rri me mua

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një grua që gjatë pjesës më të madhe të jetës kam dashur të bëhem nënë. Kam kaluar vite të tëra duke bërë analiza dhe duke u zhgënjyer. U martova jo shumë e re, në moshën 30 vjeçare me shkuesi, sepse nuk po arrija t’ia vija gishtin ndonjërit nga ata që takoja. Burri ishte njeri shumë i mirë, por ëndrra e tij ishte të kishim fëmijë dhe nuk po ia arrinim dot. Bëmë edhe analiza dhe doli se ai ishte në gjendje të bënte fëmijë, kurse unë jo. Kjo gjë bëri që ai të ftohej pak me mua.
– Të gjithë e dimë se jeta nuk ka kuptim pa fëmijë. Unë ndihem shumë në faj që nuk mund të të jap një fëmijë. Për mua je i lirë të ndahesh e të martohesh me një tjetër kur të duash. – i thashë kur e vura re këtë, por ai u ankua se nuk më kishte thënë ndonjëherë që donte të ndaheshim. – Nuk e ke thënë, por e ndiej se ti je pak më i largët me mua, qëkur more vesh se unë nuk bëja fëmijë…
– Kjo nuk ka asnjë lidhje. – tha ai dhe e mbyllëm bisedën, por mua nuk më linte mendimi se po e pengoja atë të kishte një familje të plotë.
– Po sikur të marrim një fëmijë në shtëpinë e fëmijës? – e pyeta një ditë. – Unë nuk mund të bëj fëmijë e koha po kalon…
– Në asnjë mënyrë! Sikur të mos e provoj kurrë të qenit prind, nuk do ta bëja një gjë të tillë. Të marr një fëmijë me gjak tjetër e ta fus në shtëpi, fëmijën e ndonjë krimineli?! As që bëhet fjalë…
Sa keq më vinte kur e dëgjoja të fliste kështu. Më dukej sikur fliste nga inati që kishte me mua e jo se nuk donte ta merrte një fëmijë të tillë. Vitet kalonin e ne ishim ende pa fëmijë. Gjatë kësaj kohe, ai e përmendi një herë, por vakët se mund të ndaheshim kur të kishim qejf. Ishim në një gëzim familjar kur ai tha në sy të të gjithëve:
– Unë e kam lejen në xhep nga gruaja ime. Ma ka dhënë qëkur e unë vetëm duhet ta përdor që të mos vjetërohet…
Këtë fjalë e mora si një shaka, ndonëse ishte e vërtetë se unë ashtu i kisha thënë. Pas njëfarë kohe nga kjo batutë e tij, mora vesh se ai kishte një të dashur dhe më vonë mora vesh se ajo ishte shtatzënë.
– Unë të pata kërkuar të ndaheshim e ti nuk pranove. Pse duhej ta bëje kështu?
– Unë ty të dua ende, por për atë, prisja të mbetej shtatzënë.
Nuk e dija si ta merrja këtë, si kompliment apo si ofendim. Përderisa unë nuk bëja fëmijë, duhej ta prisja një gjë të tillë. Ai tani po priste fëmijën e tij që e kishte ëndërruar prej një kohe të gjatë. Pasi u largua nga unë, vendosa të merrja një fëmijë në shtëpinë e fëmijës. Tani nuk kishte kush të më pengonte dhe vetëm nuk kisha si ta shtyja jetën. Birësova një fëmijë tre muajsh, një vajzë të bukur flokëverdhë dhe me sy bojëqielli. Ishte për mua si një ëngjëll që ma bënte jetën shumë të bukur. Me të në krahë, ndihesha njeriu më me fat në botë.
Atij i lindi një djalë e i takonte që fëmijët të ishin në të njëjtën moshë, me pak muaj diferencë. Nuk e di pse nuk më shkonte në mendje për një lidhje tjetër. Më dukej sikur ai tjetri nuk do ta pranonte vajzën. Për momentin isha në rregull dhe po shijoja jetën si nënë. Nganjëherë ai më merrte në telefon dhe më pyeste për shëndetin tim dhe të vajzës.
– U tregove e guximshme! Besoj se me edukatën që do t’i japësh ti, ajo do të bëhet një fëmijë shembullor.
– Eh, s’e dimë atë punë. Të rritet njëherë e pastaj të shohim. Po shijoj këto momente e nuk e kam ndërmend ta vras mendjen për të ardhmen. Po ti, si po shkon? – e pyesja gjithmonë.
– Mirë, ja, e shtyjmë. Djali më ka ngjarë komplet mua. Edhe nusja është e mirë.
Flisnim si të ishim dy shokë dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë. Takimi i parë pasi ishim bërë të dy prindër, ishte sikur të ishim takuar për herë të parë në jetën tonë. Edhe pse ishim ndarë, ne ende nuk e kishim bërë divorcin dhe na duhej ta bënim sa më shpejt sepse ai do të bënte martesën me gruan tjetër.
– Nuk më bën zemra të shkoj në gjykatë me ty! – më tha. – Po të jetë për mua, nuk do ta bëja në asnjë rrethanë këtë divorc, por gruaja do me patjetër të bëjë celebrimin.
– Pse flet në këtë mënyrë? Ajo të ka bërë baba. Të dha atë që nuk munda të ta jepja unë.
– Ti nuk më dhe një fëmijë, por më ke dhënë shumë gjëra të tjera. Ti më dhe ngrohtësinë familjare.
– Pse, tani të mungon kjo ngrohtësi?
– Po ja, si të të them… Ajo është shumë e re dhe do që edhe unë të kem qejfet e saj. Është shumë e papjekur dhe shkurt, nuk përshtatem.
– Po ti shkove tek ajo kur ishe me mua. – e dija se po e lëndoja me këtë fjalë, por nuk rrija dot pa ia thënë. – Nuk besoj se nuk e doje në atë kohë.
– Kurrë nuk të kam tradhtuar me zemër…
Këtë e dija se ai kishte pritur shumë kohë që ta bënte një gjë të tillë, por jeta kështu është!
– Megjithatë, duhet ta mbarojmë këtë punë – i thashë. – T’i firmosim letrat e të ndahemi përfundimisht.
Kështu bëmë. U takuam edhe një herë tjetër dhe atë ditë mora dhe vajzën me vete se ishte pasdite vonë e nuk kisha ku ta lija.
– Sa e bukur! – tha ai sapo e pa. – sa gabim bëra që nuk të dëgjova kur më the ta merrnim që atëherë.
– Pse thua kështu? Ti tani ke fëmijën tënd. Duket sikur nuk je dhe aq i lumtur. Tek unë do të gjesh gjithmonë një shoqe për të biseduar. – kjo ishte e padrejtë, përderisa ai po martohej përsëri, por këto fjalë i tha zemra e jo unë, prandaj nuk e bëj veten me faj.
U duk se ai këtë fjalë kishte pritur nga unë dhe, edhe pse bëmë procedurat e divorcit, ai filloi të më thërriste për kafe. Disa herë dilja e disa herë jo. Nganjëherë merrja edhe vajzën me vete e ai shkrihej pas saj. Nuk kishte asgjë të shtirur në ato që bënte, por gjithë këto takime sigurisht që do të binin në syrin e gruas së tij të dytë. Një ditë më ra telefoni dhe nga ana tjetër më foli zëri i një gruaje.
– A do ta lësh burrin tim të qetë apo si e ke hallin?
– Më falni, po më kë po flas? – unë nuk kisha të dashur dhe për momentin nuk më shkoi mendja tek ish-burri.
– Me kë po flet? Bën edhe interesanten pale! Po ti e kishe dhe ai nuk të deshi e erdhi tek unë. Tani do ta marrësh prapë?
– Haha – qesha me sa fuqi që kisha, sepse e kuptova se kush ishte. – E ke gabim mi shoqe. Unë nuk jam e lidhur me burrin tënd e nuk kam ndërmend që ta marr.
– Lëri këto ti, po më mirë t’i sqarojmë gjërat drejtpërsëdrejti.
– Kur të duash. Unë nuk kam se çfarë të sqaroj, por meqë këmbëngul, po pranoj.
Kur u takuam, e pashë se ajo ishte shumë e revoltuar. Ai i kishte thënë se donte që të bashkohej përsëri me mua. U habita edhe unë kur ajo më tha kështu dhe në fakt, i dhashë të drejtë për acarimin e saj, por ia bëra të qartë se nuk kisha ndërmend të lidhesha me burrin e saj. Ajo kishte fëmijën me të dhe ai, për këtë shkak më kishte tradhtuar.
Por, ky ishte vetëm fillimi i një periudhe plot me sherre dhe telefonata me ofendime nga ana e saj. Një ditë më erdhi në majë të hundës dhe vendosa të shkoja te shtëpia e tyre. Mora vajzën në makinë dhe shkova.
I rashë derës dhe te dera u shfaq ish-burri im. Ai u habit kur më pa.
– A mund të futem?
– Sigurisht! – tha me gjysëm zëri.
U futa në kuzhinë dhe ula vajzën në divan. Edhe e shoqja u habit.
– Unë kam ardhur sot se nuk i duroj më telefonatat e tua. – iu drejtova asaj.
– Çfarë telefonatash? – iu kthye ai.
– Nuk e kuptoj se çfarë thotë. – mohoi ajo sy për sy.
– Ti nuk kupton? Pa thuaja këtij ato që më thua mua në telefon çdo ditë.
Ajo nuk foli.
– Nuk do të flasësh? Atëherë po flas unë. – u zbraza unë e lodhur nga akuzat e saj. – Kjo zonja këtu më merr përditë në telefon e më thotë se po ia marr burrin. Thuaja se nuk kemi gjë bashkë e të më lërë rehat.
– Ashtu! Dhe ti më pyet a jam i lumtur… – m’u kthye mua.
– E shikon, ju flisni bashkë ë? – ajo nuk kishte faj se ai vetë tha se më ishte ankuar për të.
– Unë kam të drejtë të dua kë të dua. Unë ende e dua këtë femër që shikon ti këtu. Se, që ta dish ti, kjo nuk i ka bërë kurrë këto gjëra që bën ti. E vetmja gjë që më largoi nga kjo ishte idiotizmi im. Tani, në daç bërtit e në daç jo. Kjo është fjala ime. – tha ai me një ton që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë.
Ajo nuk foli më atë ditë se nuk kishte çfarë të thoshte. Kjo, edhe për mua ishte një bombë. Ai më donte aq shumë sa e pohoi para gruas që i kishte dhënë atë që ai ëndërronte më shumë.
E që ta them me pak fjalë, pak e nga pak ai u rikthye tek unë. Tani jetojmë së bashku me vajzën. Shkon të takojë djalin ndonjëherë, madje dy herë e kishte marrë me vete te shtëpia ime. Nuk e di si do t’i vejë filli kësaj historie, por shpresoj për mirë.