Nuk hiqet e as nuk lëviz nga vendi përmendorja e UCPMB-së !

Në Preshevë sot është mbajtur mbledhje e këshilltarëve shqiptarë të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në të cilën është vlerësuar situata aktuale politike dhe e sigurisë në Preshevë, pas vendosjes së Lapidarit të dëshmorëve të kombit para godinës së Kuvendit Komunal të Preshevës.
Sikur kryetarët e dy komunave të Preshevës dhe Bujanocit, Ragmi Mustafa dhe Nasgip Arifi. ashtu edhe lideri i LPD-së Jonuz Musliu, ish-drejtues politik i UÇPMB-së, kërkuan ndërhyrje të ndërkombëtarëve si masë preventive për të penguar ndonjë konflikt eventual nga kërcënimet e Beogradit, njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”
Pas takimit të përfaqësuesve të tre kuvendeve, Jonuz Musliu lider i LPD-së dhe ish-drejtues i UÇPMB-së, ka deklaruar “nuk ka negocim e as kompromis me gjakun e dëshmorëve të UÇPMB-së.
“Nuk ka kthim mbrapa rreth përmendores së UÇPMB-së në Preshevë. Ajo do të mbetet aty ku është ndërtuar. Sikur edhe ne do të donim ta lëviznim këtë nuk na mundësohet të veprojmë kundër vullnetit të popullatës shqiptare, e cila e ngrit lapidarin në shenjë respekti dhe nderimi të ish-luftëtarëve tanë të UÇPMB-së, të cilët ranë për ditë më të mira në Luginën e Preshevës”, ka thënë Musliu.
Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, kritikoi ashpër autoritetet shtetërore lidhur me kërcënimet e tyre për rrënimin e lapidarit.
Kurse Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, regjimin e tanishëm e krahasoi me atë të Milosevicit dhe Seselit.
Shaip Kamberi i PVD-së, tha se autoritetet serbe nuk kërkojnë madje as leje për vënien e lapidarit të ndërtuar në Bujanoc për serbët e rënë në luftën e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
Ai në fjalën e tij përkrahu masat e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me të drejtat e shqiptarëve këtu dhe serbëve të Kosovës.
Në mbledhje foli edhe kryetari i Këshillit Nacional, Galip Beqiri dhe më pas kryetari i OVL-së në Preshevë, Ramadan Ismajli, i cili nuk ishte i kënaqur me punën e partive politike në Luginë të Preshevës.
Kuvendi miratoi deklaratën politike, në të cilën thuhet se Kuvendi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ndikoj në zgjidhje e problemit shqiptar të Luginës së Preshevës si dhe kërkon inkuadrimin e shqiptarëve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë mbajtjes së mbledhjes së kuvendeve shqiptare aktivistë të drejtave të njeriut shpalosen pankarta me tëcilat kritikuan kryeministrat Hashim Thaçi e Sali Berisha, duke thënë se ata nuk janë duke bërë asgjë për shqiptarët e Luginës së Preshevës./fish media/