“Nuk di cili është babai i fëmijës tim!”

Kam vendosur t’u shkruaj pasi kam nevojë për të sqaruar disa dyshime me veten, dyshime të cilat po më vrasin. E di që jam fajtore, nuk ka justifikim sjellja ime dhe ndoshta Zoti me dënoi për këtë padrejtësi që i kam bërë bashkëshortit tim, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, D., nga Gjilani.

Jam 29 vjeçe dhe ka 3 vjet që jam e martuar. Prej disa muajsh kam një lidhje jashtëmartesore me një koleg të punës. Gjërat kanë ndodhur aq shpejt me kolegun tim, saqë nuk kam pasur mundësi të mendohem dhe të logjikoj se çfarë po ndodh. Humba mendjen pas tij dhe u dorëzova, pranova të tradhtoja bashkëshortin tim. Thuajse çdo ditë i betohesha vetes se do të hiqja dorë, por e kisha të pamundur ta bëja këtë. Nuk arrija të ndahesha prej tij, madje as ai nuk më lejonte. Ai ngulte këmbë që të vazhdonim lidhjen në fshehtësi dhe më siguronte se askush nuk do ta zbulonte. Ramë dakord kështu dhe të them të drejtën burri im nuk dyshonte. Në fakt nuk dyshonte askush, pasi në punë ne kishim sjellje krejtësisht formale, si me të gjithë kolegët e tjerë.
Takimet i linim në vende të largëta, ku nuk na njihte dhe nuk na shihte askush. Edhe hotelet që frekuentonim ishin larg qytetit. Erdhën edhe ditët kritike…
Gjërat ishin në rregull deri para 9 javësh. Unë dhe bashkëshorti im patëm marrëdhënie seksuale të pambrojtur dhe dy ditë më vonë takova partnerin tim të ri. Patëm raporte seksuale dhe këtë herë pa prezervativ, por ai më kishte thënë se ishte ruajtur. Tani jam shtatzënë dhe mjeku më tha se jam 9 javësh. Problemi është që mjeku nuk arrin ta përcaktojë ditën me saktësi. Në një diferencë kaq të vogël raportesh është e pamundur të përcaktohet dita e pllenimit. Dyshimet e mia janë të tmerrshme dhe nuk di se cili është babai i fëmijës tim. I lutem Zotit që të jetë i bashkëshortit.
E, sikur të jetë i të dashurit tim çfarë duhet të bëj? Është e tmerrshme dhe nëse nuk arrij t’i jap tani një përgjigje kësaj pyetjeje që po ma bën jetën ferr, jam e sigurt që nuk do të arrij t’ia jap kurrë.
Si mund ta vërtetoj se cili është babai i fëmijës tim? Po edhe nëse e zbuloj çfarë duhet të bëj? Si mund t’ia tregoj bashkëshortit tim këto dyshime? Ai është tejet i lumtur për fëmijën që po presim dhe këto kohë ka qenë më i kujdesshëm se kurrë. Nuk më lejon që të bëj asgjë dhe tregohet jashtëzakonisht i dashur.

Telefonata që e copëtoi zemrën time…
Faji po ma shkatërron jetën
Ndihem në faj çdo ditë e më shumë dhe kjo ndjenjë e tmerrshme faji po më lodh, po ma shkatërron jetën. Jam shumë në stres dhe nuk di se si t’ia bëj. Është shumë e tmerrshme që të bëj një fëmijë që nuk është i bashkëshortit tim. Më vjen shumë keq për të gjitha ato që kam bërë, por nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte kjo gjë. Nuk mendoja se do të mbetesha shtatzënë, të paktën, në këto rrethana.
Në fillim mendova të abortoja dhe vazhdoj ta mendoj këtë gjë, por kur shoh bashkëshortin tim aq shumë të përkushtuar ndaj këtij fëmije dhe kaq shumë të lumtur se shumë shpejt do të bëhet baba, e kam të pamundur. Është absurde, qesharake dhe tragjike në të njëjtën kohë. Ai mendon se është babai i fëmijës dhe unë tmerrohem nga kjo. Tmerrohem nga ajo që i kam bërë dhe nga zhgënjimi që mund të përjetoj kur të zbulohet e vërteta.
Si mund ta lejoj që një mashkull të rrisë fëmijën e dikujt tjetër? I dashuri im, edhe pse e di këtë, më ka thënë se duhet të hesht, por unë nuk mundem, nuk më zë gjumi…
Hall i madh se jo mahi! /D. “Kosovarja”/