Nora flet për ndarjen me Robertin, thotë se të gjitha lidhjet kalojnë kriza | Intervistë

Nora flet për ndarjen me Robertin, thotë se të gjitha lidhjet kalojnë kriza | Intervistë

Martesa e saj është vënë prej kohësh në shënjestër të mediave rozë. “Nora Istrefi u nda”, “Roberti e ka tradhtuar”, “Merr fund martesa”, e tituj të tjerë të këtij lloji pushtuan mediat online dhe rrjetet sociale, e pavarësisht deklaratave të Robertit se ata vazhdonin të ishin ende bashkë, fansat e Norës kanë qenë akoma skeptikë. Megjithatë, në këtë intervistë ekskluzive për “Bluetooth” këngëtarja e njohur i sqaron të gjitha këto thashetheme, ndërsa na tregon se është e martuar dhe një nënë shumë e lumtur.

“Sipas meje ndarja është një opsion që më shumë mendohet gjatë një lidhje me kriza dhe jo pas bekimit për tu bërë prindër”, tregon Nora. “Sa t’kom dasht” është kënga më e fundit që ka lançuar këngëtarja nga Prishtina, një këngë që duhet thënë se nuk ka kaluar pa replika e thashetheme. Pavarësisht suksesit të saj, këngëtarja u akuzua për plagjiaturë, fakt të cilin Nora Istrefi e shpjegon duke thënë se, “S’kam kohë të mendoj për ngjashmëritë e përfolura, por më shumë për origjinalitetin e këngës sime”.

Keni publikuar këngën tuaj më të fundit “Sa t’kom dasht” dhe që tani është shndërruar në hit. Ishit e bindur për suksesin e saj, e prisje në të tilla përmasa?

Kënga “Sa t’kom dasht” mendoj se është një nga këngët më të mira që kam punuar viteve të fundit. Kënga i përshtatet shumë stilit tim dhe e kam pritur se do të mirëpritej nga publiku.

Sapo u lançua kënga vërshuan shumë kritika kundër jush, për shkak të ngjashmërisë me këngën e Brunos. Keni një përgjigje për këto kritika?

I kam dëgjuar të gjitha kritikat, por më shumë më bëjnë përshtypje lëvdatat që kam marrë. E vërteta është se kënga ime është mirëpritur dhe dëgjuar aq shumë, saqë nuk kam kohë të mendoj për ngjashmëritë e përfolura, por më shumë për origjinalitetin e këngës sime.

Kur arritët marrëveshjen me Florin për përdorimin e një pjese të melodisë, patët frikë se do gjykoheshit negativisht nga audienca?

Asnjëherë! Si tip kam shumë besim në vetvete dhe frika për këngët nuk ekziston asnjëherë për mua. Ndoshta edhe për shkak të përvojës që kam.

Në video dukeni si gjithmonë tërheqëse dhe në formë. Si ia arrini?

Krahas muzikës, i kushtoj gjithmonë rëndësi edhe pamjes dhe formave. Të gjithë që më njohin e dinë se jam një femër që nuk ndalem dhe kam shumë energji. Mendoj se është falë përkushtimit që kam.

Muzika nuk është i vetmi impenjim që keni. Koncertet live, familja, Renee… Ku e gjen gjithë këtë energji?

E përsëris, karriera të impenjon që të kesh gjithmonë energji, përndryshe të mposht konkurrenca. Vazhdimisht përpiqem që të gjej kohë për familjen, Renean, duke e pasur parasysh që në fund të një ditë mund të jem prezente në koncerte të ndryshme.

E konsideron veten një supermama? Sa orë të ditës kalon me Renee dhe cilat janë momentet më të bukura me të?

Çdo moment pranë Reneas është i bukur. Nuk e di nëse jam një supermama, por e di që pranë Reneas jam mamaja më e lumtur në botë.

Ndonëse është herët për të folur, megjithatë Nora do të jetë një nënë e rreptë, apo liberale?

(Qesh) Mendoj se është herët të flas për këtë, edhe pse është diçka që e kam menduar. Aktualisht domosdoshmërish duhet të jem një nënë liberale, por në të ardhmen mund të jem edhe e rreptë.

Cila është këshilla që keni marrë nga nëna juaj?

Nga nëna kam marrë shumë këshilla, të cilat gjithmonë më kanë rezultuar pozitive. Këshilla e fundit që marr nga ajo, vazhdimisht, është të jem sa më shumë afër Reneas (qesh).

Kohëve të fundit në fokus të mediave ka qenë edhe raporti juaj me Robertin. U fol për një ndarje. Ka pasur, apo ka një krizë në martesën tuaj?

Çdo lidhje i ka krizat e veta, por mendoj se dallon kriza nga ndarja. Gjithçka që mund të them është se unë jam e martuar, jam nënë e një vajze dhe jam shumë e lumtur.

E keni menduar ndonjëherë ndarjen? Cilat shkaqe mund t’ju çojnë në këtë vendim?

Sipas meje ndarja është një opsion që më shumë mendohet gjatë një lidhje me kriza dhe jo pas bekimit për tu bërë prindër. Kështu që jemi prindër të një vajze dhe ndarjen nuk e kemi menduar.

Tradhtia, e falni? Çfarë mendimi keni?

Tradhtia është shkatërrim i një lidhjeje të lumtur, të cilën nuk e fal.

Pas këngës, keni projekte të tjera në muzikë?

Sigurisht që angazhimet muzikore nuk do t’i ndal dhe shumë shpejt pritet të ketë risi e projekte të reja.

Tashmë do të jeni më aktive në muzikë? Kur dhe ku do të jetë koncerti juaj i radhës?

Kam disa koncerte në plan, i radhës është të shtunën në Shkodër.

Intervista në BallkanWeb