Një shqiptar po “çmend” Holandën

loading...

timthumb

loading...
Në radion “Fun X”, ndër më të dëgjuarat në Holandë, kënga e tij e fundit “Fokus” vazhdon të pozicionohet në krye të toplistës së preferencave muzikore. Joni Tarifa (29) shqiptar me origjinë, po korr frytet e punës së tij disa vjeçare. Djaloshi nga Tirana i cili profesion të vërtetë ka marketingun, jeton prej 15 vitesh në Mbretërinë e Holandës. Ai është djali i dytë i Fatos Tarifës, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në Holandë. “U larguam nga Shqipëria familjarisht dhe u vendosëm në Chapel Hill, shtet i Karolinës së Veriut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty mbarova shkollën 8-vjeçare dhe vitin e parë të shkollës së mesme. Në fund të vitit 1998 u vendosëm familjarisht në Hagë, ku im atë shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës. Që nga ajo kohë, pra për afro 15 vjet unë jetoj në Holandë. Këtu mbarova shkollën e mesme dhe universitetin dhe tani banoj dhe punoj në Hagë”- tregon 30-vjeçari për largimin e tij nga vendlindja. Jon banon në qytetin e Hagës të njohur më së shumti për tribunalin ndërkombëtar të drejtësisë. Këtu krahas angazhimit profesional ai merret edhe me muzikë. “Në Holandë është goxha e vështirë që të bësh “break-through”. Me fjalë të tjera, që të çash në tregun e muzikës dhe atë të artit, sidomos kur je i huaj. Shkalla e konkurrencës është shumë e madhe”.

“Next to me” kënga e radhës që befason

“Next to me” është kënga e tretë që, këngëtari i ri shqiptar, ka nxjerrë në tregun muzikor holandez. Në këtë këngë ai vjen në duet me këngëtarin e muzikës R&B, Arman Kanun, lideri i grupit muzikor holandez “Ambasada Groove.” Kjo këngë pritet të jetë po aq sa e suksesshme sa “Focus”. Në një rrëfim për jetën, Joni thotë se nuk e ka pasur të vështirë të adoptohet me shoqërinë vendase. Vajtja në fëmijëri e ka bërë atë të përshtatet dhe të përthithë më së miri kulturën e vendit ku jeton dhe punon. Holanda është një ndër vendet me kozmopolite të globit. Popullsia e këtij vendi është heterogjene dhe çka e bën një vend shumë interesant. “Ne fillim, kur erdha në Hagë, unë vazhdova shkollën e mesme në një shkollë ndërkombëtare, në gjuhën angleze, dhe pata mundësinë të njihja shokë nga shumë shtete të botës”. Pas përfundimit të shkollës së mesme ai zgjodhi të vazhdojë studimet universitare për Marketing. “Fillimisht kisha dëshirë të studioja për menaxhim biznesi ndërkombëtar, por ndodhi që të mos ishte kjo fusha ime e studimit. Sidoqoftë, unë fillova ta pëlqej dhe vazhdoj ta pëlqej fushën e marketingut dhe të komunikimit për të cilën u diplomova, në “In Holland University”, në Hagë.”

“Qielli nuk është limit, dua të arrij më shumë”

Në fakt për Jonin nuk ka rutinë. Çdo ditë është ndryshe nga të tjerat. Ndërsa na përshkruan një ditë të zakonshme tregon se përgjithësisht ajo ka këtë pamje: “Pasi dal në mëngjes nga apartamenti im, marr biçikletën dhe shkoj në punë. Në mbrëmje, pas pune, ose takohem me shokët e mi dhe argëtohem me ta, ose stërvitem në palestër, ose luaj muzikë, shkruaj këngë”. Meqë jemi te muzika, ky është edhe qëllimi i bisedës sonë. Ai ka filluar te merret me muzikë që në vitin 2000. Si u gjend ai në krye te klasifikimit në radiot Holandeze. “Po, njëra nga këngët e mia të fundit, e titulluar “Focus”, u ngjit në vendin e parë në klasifikimin e njërës prej radiostacioneve më të mëdha në Hollandë që quhet “FunX Radio”. Në fakt, kënga e fundit që kisha kënduar para kësaj titullohet “So right” dhe arriti në vendin e dytë në Dutch Charts, prandaj edhe ishte një surprizë shumë e këndshme për mua që këtë herë, me këngën “Focus”, të ngjitesha në vendin e parë. Për të qenë tërësisht i sinqertë, them se nuk e prisja”. Për të fillimisht muzika ka qenë thjesht një hobi, kalim kohe. Më vonë për të muzika u bë angazhim serioz në vitet 2004-2005. Po çfarë do të thotë për të, të jetë në krye të këtyre klasifikimeve: “Është diçka për të cilën jam dhe do të jem gjithmonë krenar, sidomos kur shoh se kush bëjnë pjesë në “Dutch charts” që janë disa nga artistët më të famshëm nga e gjithë bota dhe kënga ime mundi të dalë këtë herë mbi të gjithë ata. Është një ndjesi shumë e bukur dhe e pamundur ta përshkruaj këtë që ndjej. Megjithatë, ky nuk është fundi. Unë dëshiroj të vazhdoj të arrij suksese dhe lartësi të reja. Qielli nuk është limit”.

Me babain, shokë

Joni ka shumë dëshirë që suksesin e tij në Holandë ta sjellë edhe në Shqipëri. Për këtë arsye premton që shumë shpejt do të jetë edhe në tregun tonë muzikor. Tregon se tokën shqiptare e prek të paktën dy herë në vit, pasi këtu ka familjen,
prindërit, gjyshërit dhe njerëzit e afërt. Deri në një moment të caktuar të jetës, ai ka menduar se e ardhmja e tij do të ishte në futboll, por nuk qe e thënë kështu. Një incident e shkëputi nga fusha e blertë dhe sot ai punon si Koordinator i Hematologjisë në departamentin e Komunikimit dhe Medias.

bio
Emri: Jon
Mbiemri: Tarifa
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Hagë (Holandë)
Profesioni: Ekonomist
Pasioni: Muzikant

/Entela Resuli/

loading...