Nis gjykimi për vrasje ndaj Agdi Krasniqit

f1_02agd1362235030

Gjilan, 2 mars – Në Gjykatën Themelore në Gjilan ka nisur gjykimi ndaj Agdi Krasniqit nga Kamenica i akuzuar për vrasjen e Gzim Demirit më 16 korrik 2012. Trupi gjykues që po kryesohet nga Hasan Sadiku ka dëgjuar dëshmitarët e rastit dhe ata të propozuar nga prokuroria, transmeton rajonipress.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Shaban Spahiu, Agdi Krasniqit dyshohet se më 16 korrik 2012 në afërsi të shtëpisë së Gani Demirit në Kamenicë me qëllim të privimit nga jeta e ka goditur dy herë me thikë në regjionin e gjoksit- në zemër dhe mushkëri duke i shkaktuar plagë therëse-shpuese si dhe tetë plagë tjera në regjionin e shpatullës së majtë në regjionin e supit të majtë si dhe në regjionin e muskulit deltoid tani të ndjerin Gzim Demiri nga Kamenica, ku nga këto plagë i njëjti ka ndërruar jetë në emergjencën e Gjilanit.

I akuzuari Agdi Krasniqi ka thënë në hetuesi se me datën kritike e ka goditur disa herë me brisk të ndjerin Gzim Demirin, por sipas tij këtë e ka bërë pasi që paraprakisht është sulmuar nga i njëjti.

Në hetuesi dhe para trupit gjykues kanë dëshmuar edhe dëshmitarët Nenad Vasiq, Fatmir Demiri, Besart Demiri , Besnik Demiri, Leutrim Demiri, Dardan Hajdini.

Ndërkaq prindi i viktimës Mehmet Demiri ka thënë se ende nuk e ka të qartë se pse Agdiu e ka lënduar për vdekje djalin e tij. Prindi i viktimës ka thënë se dyshon se pos Agdiut ka marrë pjesë edhe dikush tjetër në vrasjen e djalit të tij, por nuk ka njohuri se kush janë personat tjerë.

Gjykimi vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve të paraparë sipas prokurorisë dhe mbrojtjes.