Ngjarjet më të bujshme të shqiptarëve në Selanik

arben_llalla_1Arben LLALLA*

SELANIKU, është qyteti i dytë më i madh në Greqi për nga numri i banorëve. Ndodhet në rajonin e Maqedonisë Qendrore dhe në këtë qytet funksionon Ministria e Maqedonisë dhe e Trakisë. Sot në Selanik banojnë rreth 1.000.000 njerëz. Pas shpërnguljes së banorëve mysliman pas vitit 1923 në këtë qytet u vendosën mijëra refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël. Pothuajse 2/3 e banorëve të këtij qyteti dhe të prefekturës kanë ardhur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës.
Gjatë viteve që kalova në Selanik jam takuar me shumë grek me origjinë shqiptare. Në Selanik shumë qytetar grek kanë mbiemra të fjalës shqipe si Albani. Rrugës për në spitalin Shën Nikolaos, gjendet një Tavernë pronari i së cilës quhej Mihal Allvanosi i cili kishte origjinë shqiptare. Në rrugën Politeknou nr. 45 ato vite gjendej zyra e një avokati me emrin Orestis Albanis. Në Selanik jetojnë edhe nipat e Avni Rustemit, djemtë e motrës, njërin prej të cilëve (Theodhor G) e kam takuar disa herë. Ai, ishte rreth 70 vjeç, më tregoi saktë ku kanë qenë varrezat myslimane të shqiptarëve sepse atje ndodheshin varret e mëmës dhe atit të tij. Në qarkun e Selanikut ndodhen tre fshatra që banorët janë me origjinë shqiptare dhe janë vendosur aty pas vitit 1922 si popullsi e këmbyeshme të ardhur nga Mandrica e Bullgarisë dhe Trakia Lindore e Turqisë.
Shqiptarët në Selanik në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetet politike dhe kulturore. Në këtë qytete kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtar nga Korça si dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina i cili u vra në 1933, po në këtë qytetet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptar Mehmet dhe Ahmet Kapandzit. (Për familjen Kapandzi, shpeshherë shkruhet se ishin hebrenj mysliman që njihen me emrin Donme, por në disa shkrime thonë se janë shqiptar. Sot familja Kapandzi është e vendosur në Turqi). Këto dy Vila u ndërtuan në vitin 1893-1895 në një hapësirë prej 4 hektarësh të cilat shikonin nga deti. Njëra është e modelit zviceran e projektuar nga Piero Arigoni me një dekorim të bukur të tavanëve me piktura. Ndërsa vila tjetër në vitin 1912 u bë rezidenca e princit të Greqisë, Nikollës. Në këtë vilë në vitin 1917 qëndroj disa muaj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në ushtrinë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Fotografitë që do sjellim të Esat Pash Toptanit janë bërë pikërisht në vilën ku ai qëndroj disa muaj në Selanik dhe gjatë dekorimit të tim me Kryqin e Luftës nga gjenerali francez Sarrail më 15.8.1917.
Varrezat e bashkësisë shqiptare u prishën në vitin 1983, sipas gazetës greke ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ. Në këto varreza ndodheshin varret e shumë personaliteteve të jetës politike dhe shoqërore, por për fat të keq vetëm eshtrat e Hasan Prishtinës shpëtuan dhe u dërguan në Shqipëri pasi zhdukjes së kësaj varreze. Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.
Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht të vitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.
Në vitin 1916 në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar shqiptar Themistokli Gërmenjin.
Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 tetor 1912 Komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pas dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku edhe në moshën 73 vjeçare vdiq në Lozanë në vitin 1918. Aty edhe u varros. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesara.
Gjatë viteve të jetës në Selanik rastësisht gjeta një faqe gazete ku përshkruhej vrasja e Hasan Prishtinës në këtë qytet. Gjëja e re që mësova gjatë leximit ishte se Hasan Prishtina ishte vrarë më 13 gusht dhe jo më 14 gusht 1933 siç kemi mësuar nga historianët e ndryshëm që kanë shkruar për figurën e Hasan Prishtinës. Duke lexuar këtë gazetë mësova se vendi ku është qëlluar mbi Hasan Prishtinën ishte vetëm 50 m larg nga vendi im i punës, afër ndërtesës së Mitropolisë së Selanikut. Mund të kaloja në atë pjesë të rrugës rreth 5-6 herë në ditë.
Gazeta greke “Maqedonia e Re” (Makedhonika Nea) e datës 14 gusht 1933, një ditë pas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Kjo ndërtesë u ndërtuar me porosi të Hafiz Beut për shtëpi banimi dhe më 1924 e bleu Hasan Prishtina.
Revista greke PANDORA, e vitit 1869 shkruan se në prefekturën e Selanikut banonin diku 19.000 shqiptarë, ndërsa historiani serb Spiridon Gopsheviç alias Leo Brenner në librin “Serbia e Vjetër dhe Maqedonia”, më 1890, shkruan se në Kazanë e Selanikut jetonin vetëm 450 shqiptarë.
Vasili Kënçov shkruan më 1900 se Selaniku kishte, 10.000 bullgarë të krishterë, 26.000 turq mysliman, 16.000 grekë të krishterë, 55.000 hebrenj, 2.500 ciganë dhe 8.500 të tjerë. Jordani Ivanov shkruan që Selaniku kishte 2.500 shqiptarë. Borovoje Millojeviç, më 1920 shkruan të ketë pasur 200 shtëpi ku banonin shqiptarë të krishterë.

*Historian

Shqiptarët në tregun e Selanikut 1900

Shqiptarët në tregun e Selanikut 1900

Ushtarë shqiptar në Selanik 1908

Ushtarë shqiptar në Selanik 1908

Refugjatët mysliman në kampe duke u larguar nga Greqia 1914

Refugjatët mysliman në kampe duke u larguar nga Greqia 1914

Francezët u mësojnë ushtarëve shqiptarë të Esat Toptanit armët, 1917, Selanik

Francezët u mësojnë ushtarëve shqiptarë të Esat Toptanit armët, 1917, Selanik

Shtëpia e Hasan Prishtinës sot në Selanik

Shtëpia e Hasan Prishtinës sot në Selanik

Vila e Ahmet Kapandzi në Selanik

Vila e Ahmet Kapandzi në Selanik

Shtëpia e Hasan Prishtinës sot në Selanik

Shtëpia e Hasan Prishtinës sot në Selanik

Pritja madheshtore qe i beri ushtria franceze Esat Pash Toptanit në Selanik në 27 gusht 1916.

Pritja madheshtore qe i beri ushtria franceze Esat Pash Toptanit në Selanik në 27 gusht 1916.


Comments are closed