Neymar: Nuk kam preferenca mes Barcelonës dhe Realit

neymar

Europa vazhdon të mbetet ëndrra e parealizuar e Neymar dhe këtë gjë e ka pranuar vetë talenti i futbollit brazilian në një emision radiofonik spanjoll.

“Është ëndrra ime të luaj në Europë, por nuk e di kur do të realizohet. Nëse ka ardhur koha që të largohem nga Brazili, do ta bëj”, theksoi sulmuesi, i cili nuk bëri të qartë ku preferon të luajë.

“Nuk kam preferenca mes Barcelonës dhe Realit. Janë dy klube të mëdha, të respektuara nga të gjithë dhe kanë të dyja lojtarë të mrekullueshëm, por vitet e fundit Barcelona i ka trembur të gjithë me lojën e saj”, u shpreh 21-vjeçari.

Ylli i kombëtares braziliane analizoi edhe aktualitetin e Seleçaos: “Kemi një trajner të ri (Scolari) dhe shpresojmë të ndërtojmë një skuadër të fortë për botërorin. Brazili ka një lojë ndryshe nga të gjitha kombëtaret e tjera, për këtë arsye nuk dua ta krahasoj me Spanjën. Jam i bindur që do të zhvillojmë një botëror të mrekullueshëm.”

“Nuk e di se kur do të ndodhë, tani shpejt apo më vonë por Neymar do të luaj me Barcelonën”. Janë fjalë të rëndësishme të thëna nga personi që stërvit Naymer, trajneri Ramalho. Tekniku i Santosit shpjegon edhe arsyen pse e shikon lojtarin e tij si një blaugrana i ardhshëm.

“Duhet të veshë fanellën e Barçës sepse loja e tyre është e ngjashme me lojën tonë. Ka një kontratë me ne dhe pasi ta përfundojë mendoj se do të shkojë në Barcelonë ashtu si shumë emra të mëdhenj brazilianë si Romario, Ronaldo dhe Rivaldo”. Ramalho shtoi se për futbollin do të jetë diçka shumë e bukur nëse Neymar dhe Messi do të jenë në një skuadër.