Neymar nën presion për të kaluar te Barcelona

FBL-URUGUAY-BRAZIL-NEYMAR

Neymar hedh një hap konkret duke e pranuar se në të ardhmen ka mundësi reale për t’u bashkuar me Barcelonën. Talenti brazilian për të cilin po flitet prej kohësh, shprehet se Dani Alves dhe vetë klubi katalanas po insistojnë që ai të zgjedhë “Camp Nou”-n si destiancionin evropian.“Dani më vë gjithmonë në siklet. Më kërkon të bashkohem me Barcelonën duke më thënë përherë se dëshiron të më takojë në qytetin spanjoll”.

Në vijim, Neymar e pranon faktin se Europa është një mundësi reale ku mund të rritet edhe më shumë si futbollist.

“Jashtë Brazilit një lojtar mund të evoluojë dhe të përmirësohet. Gjithsesi edhe këtu e ndiej se çdo vit që kalon piqem më shumë në aspektin profesional dhe dua të rritem ende në këtë eksperiencë. Disa thonë se duhet të largohem sa më parë, por unë nuk jam dakort”.

Objektivat 20-vjeçarit për të ardhmen janë të qarta, të ndihmojë Brazilin dhe Santosin, skuadër në të cilën është rritur.

“Kam një kontratë deri në vitin 2014 por përpara është edhe Kupa e Botës. Dua t’i ndihmoj sa më shumë të dyja ekipet. Përsa i përket rinovimit të kontratës, mendoj se kjo është një çështje personale dhe vendimin do ta marr pasi të konsultohem gjatë edhe me familjen”.