Nexhat Demaku: Ka gjasa ta bëjmë koalicion me Nismën!

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk i ka humbur shpresat për të gjetur një partner për bashkëqeverisje. Zyrtarë nga kjo parti kanë thënë se mund të ndodhë që ta bindin Nismën për Kosovën që të hyjnë në qeveri së bashku.
Nexhat Demaku, i cili është anëtar i PDK-së dhe kryetar i Komunës së Drenasit, ka thënë për Gazetën Blic se PDK-ja mund ta bëjë qeverinë me Nismën.

“Koalicioni PDK -Nisma mund të ndodh gjatë ditëve në vazhdim. Disponimi i anëtarësive të dy subjekteve politike është që koalicioni për formimin e qeverisë të jetë mes PDK dhe NISMËS , ky disponim duhet te reflektoj tek strukturat udhëheqëse të PDK dhe NISMËS”, ka thënë Demaku.

Sipas tij, te dy subjektet natyrshëm kanë shumë gjëra të përbashkëta edhe për faktin se sukseset e qeverisë për më shumë se 6 vite një pjesë e tyre i atribuohen edhe njerëzve që udhëheqin sot NISMËN.
Sipas Demakut edhe Jaku Krasniqi, njëri prej udhëheqësve të Nismës nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të përbashkët.

“Jakup Krasniqi në të gjitha deklaratat publike asnjëherë nuk ka përjashtuar asnjë subjekt politik për koalicion qeverisës, ajo që duhet të bëjë PDK-ja duhet një ofertë më serioze dhe konkrete për koalicion qeverisës”, ka thënë Demaku.