Nëna me tumor helmon vajzën e saj daun e veten

loading...

nena

loading...
Dëshmia e nënës 45-vjeçare, Age P.: Mësova se kisha kancer, nuk kishte kush kujdesej për vajzën 18-vjeçare.

Bathore, 45-vjeçarja kishte pirë dhe vetë më parë fostoksinën.

Një nënë 45-vjeçare tentoi të helmonte të bijën 18 vjeçe, duke i dhënë bar miu, të cilin më parë e kishte konsumuar edhe vetë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Bathore të Tiranës, gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të enjtes.  Të helmuarat janë Age dhe Jonida P., përkatësisht 45 e 18 vjeçe, me origjinë nga një fshat i Pukës dhe banuese prej vitesh në Bathore të Kamzës. Nënë e bijë janë transportuar në spital nga familjarët, të cilët i kanë gjetur pa ndjenja, në dhomën ku qëndronte e shtrirë prej 18 vitesh vajza e tyre më e vogël, e cila kishte lindur me sindromën daun. Por, veç kësaj, adoleshentja ishte edhe e paralizuar. Sikur të mos mjaftonin problemet shëndetësore të së bijës, edhe e ëma kishte zbuluar së fundmi se vuante nga tumori. Këto dyshohet të kenë qenë arsyet që e shtynë nënën e 3 fëmijëve të ndërmerrte aktin e rëndë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe të vajzës së sëmurë. Fatmirësisht, të dyja kanë shpëtuar, pasi janë zbuluar në kohë nga të afërmit dhe janë dërguar në spital. Megjithatë, gjendja shëndetësore e vajzës paraqitet më e rëndë dhe mbahet nën terapi intensive. Ndërsa e ëma, në një gjendje mjaft të rënduar psikologjike, ka dhënë shpjegime për grupin hetimor, duke shpjeguar edhe arsyet që e detyruan të kryente një veprim të tillë, që në fakt është një krim mjaft i rëndë.
DESHMIA E NENES
Pasi ka kaluar rrezikun për jetën, Age P., nëna që tentoi të vriste të bijën dhe veten, është marrë në pyetje nga oficerët e Zyrës së Krimeve Kundër Jetës, të cilët i kanë komunikuar edhe akuzën paraprake “shkaktim vetëvrasjeje”. Burimet thanë se në momentin që 45-vjeçarja ka tentuar vetëvrasjen e saj dhe vrasjen e së bijës, ka qenë në kushte mjaft të rënduara psikologjike, pasi prej pak ditësh kishte mësuar se vuante nga një sëmundje e rëndë. Edhe ajo vetë kështu e ka shpjeguar veprimin e saj, për të cilin tregoi se ndihet mjaft e penduar dhe shpreson që e bija të vazhdojë të jetojë. “Kisha pak ditë që isha vizituar dhe mësova se kisha tumor. Vajza ime kishte lindur e sëmurë dhe jam kujdesuar unë për gati 18 vjet për të. Në fakt, ajo ende nuk i ka mbushur 18 vjeç, në maj ka ditëlindjen”, ka treguar Age P. Ndërsa më pas ka shpjeguar edhe rrethanat se pse e kreu një veprim të tillë. “Isha shumë e dëshpëruar dhe në një gjendje mjaft të vështirë emocionale. E vetmja gjë që mendova ishte se kush do të kujdesej për vajzën kur të vdisja unë. Pa menduar më gjatë, gjeta bar miu (fostoksinë) dhe e hodha në një gotë me ujë. Fillimisht piva vetë, pastaj ia dhashë të pinte edhe vajzës”, ka rrëfyer nëna e 18-vjeçares. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e dy të dëmtuarave, të cilët kanë shpjeguar rrethanat se si i kanë gjetur gruan dhe vajzën pa ndjenja në dhomë. Ka qenë vajza tjetër, Fabjola, ajo që kur është futur në dhomën ku qëndronte e motra, ka parë nënën dhe motrën pa ndjenja dhe menjëherë ka lajmëruar të atin. Shërbimet e Komisariatit Nr.5, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë sekuestruar gotën, ku dyshohet se ka qenë e hedhur fostoksina./Panorama

loading...