Në Skenderaj mbyllen shkollat për ta festuar ditëlindjen e Thaçit

Tri javët e fundit kryeministri Hashim Thaçi ka qëndruar në Skenderaj nga 2 herë në javë, ku ka mbajtur tubime me kategori të ndryshme të votuesve.

E të enjten, në tri shkollat e mesme në komunën e Skenderajt, mësimi nuk është mbajtur në turnin e pasdites të se enjtes. Edhe shumë shërbime tjera administrative, shëndetësore dhe të tjera të niveleve të ndryshme, kanë qenë të mangëta. Arsyeja për ketë ka qenë “Party” i organizuar për maturantë e në të cilin në fakt është festuar ditëlindja e 46 e kryeministrit dhe liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.

Ardhja e Thaçit, në oborrin Qendrës së Kompetencës në Skenderaj, ku mbahej ky organizim, nuk e ndërpreu muzikën e zhurmshme tekno, turbofolk e tallava dhe as vallëzimin e dhjetëra të rinjve e të rejave, i cili zhvillohej para pankartit të madh të PDK-së dhe skenës se përgatitur për ketë rast.

Ketë entuziazëm nuk e ka zbehur as vonesa prej rreth 45 minutash e Thaçit dhe shoqëruesve të tij, zëvendëskryeministrit Kuçi, ministres Çitaku, zëvendësministrit Koci, ndërkohë që aty e pritnin deputetët e Parlamentit të Kosovës nga kjo komunë, udhëheqës të agjencive e institucioneve të ndryshme, udhëheqja dhe shumë zyrtarë komunalë, e zyrtarë tjerë, ani pse ishte orar zyrtar i punës dhe mësimit, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” në Skenderaj, Adem Meta.