Në pritje të foshnjës mbretërore

I ashtuquajturi cirk i medias ndërkombëtare ka filluar tashmë jashtë dyerve të spitalit “Saint Mary”, në Londër, ku është njoftuar se do të vijë në jetë trashëgimtari i familjes mbretërore të Britanisë së Madhe.

Bebja e famshme e Dukës dhe Dukeshës së Kembrixhit pritet të lindë rreth mesit të muajit korrik dhe është bërë, tashmë, një nga personazhet më të famshëm në botë, ende pa lindur.

Me dhjetra barriera hekuri janë vendosur jashtë dyerve të spitalit, për të përforcuar sigurinë. Pritet që çifti mbretëror, së bashku me fëmijën e tyre, të shfaqen në derën kryesore të spitalit, pas lindjes, për të pozuar para kamerave të shumta nga e gjithë bota.