Ndryshime në kryesinë e Shkëndijës

jetmitit_438478427Kanë nisur shkarkimet e para te kryesia e Shkëndijës së Tetovës. I pari që është shkarkuar nga kreu i klubit është kryetari Jetmir Bexheti, njeriu më pak i përfolur ditëve të fundit se mund të largohej. Nga KF Shkëndija njoftojnë se ky është vetëm një freskim në kryesi dhe se është fjala për një riorganizim në strukturën menaxheuse. Lidhur me shkarkimin e Bexhetit ka folur edhe pronari klubit dhe i kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani.

“Dua që pas një viti të suksesshëm të KF Shkëndija të falënderoj të gjithë menaxhmentin e klubit dhe në veçanti presidentin Jetmir Bexheti. Ai e kreu me sukses misionin e tij në klubin tonë. Erdhi në pozitën e kryetarit në fillim të këtij projekti me kërkesën tonë dhe e drejtoi me sukses klubin atëherë kur ishte më vështirë dhe kur për të gjithë ne kjo eksperiencë ishte diçka e re. Vendosëm bashkërisht që Jetmir Bexheti duhet të vazhdojë me angazhimet e përcaktuara në strukturat tjera të grupacionit Ecolog, atje ku edhe deri tani ka treguar sukses të dukshëm. Njëkohësisht, ne kemi vendosur që postin e kryetarit të klubit t’ia besojmë Lulzim Imerit, një personi te i cili kemi besim se do t’i vazhdojë drejt realizimit planet tona afatgjate me KF Shkëndija, krahas dëshirës, seriozitetit dhe punës së tij që do ta bëjë me përkushtim të plotë. Freskimi do të vazhdojë edhe me riorganizimin në strukturën e përgjithshme të KF Shkëndija, për të arritur më të mirën e mundur, ku çdonjëri do ta gjejë pozicionin e duhur dhe të përshtatshëm”, deklaroi pronari i klubit, z. Lazim Destani.

“Çdo fillim ka një mbarim. Kur erdha në këtë post një vit më parë, paralajmërova se jam këtu për të ndihmuar në fillim të një projekti madhështor dhe se një ditë kur klubi do të jetë në binarët e duhur unë do të largohem për t’ia lënë vendin diku tjetër. Tani kur Shkëndija ka pas vetes një vit të suksesshëm nën sponzorimin e kompanisë ‘Ecolog’ dhe familjes Destani, kur secili e din punën e tij, kur dihet rruga që duhet të ndiqet në të ardhmen dhe për shkak të angazhimeve të mia në ‘Ecolog’, detyrohem të tërhiqem nga posti i kryetarit të Shkëndijës. Në këto momente dua të them që ishte kënaqësi dhe kranari të drejtoj këtë klub simbol i shqiptarëve. Falënderoj të gjithë bashkëpuntorët dhe tifozët për mbështetjen e dhënë”, deklaroi Jetmir Bexheti.

“Dua të falënderoj pronarin e klubit për besimin e dhënë që të jem kryetar i ri i Shkëndijës. Unë premtoj që do të bëj përpjekje maksimale për ta dhënë më të mirën nga puna ime. Do ta vë veten tërësisht në shërbim të klubit për ta çuar përpara gjithë atë punë që kanë bërë pararendësit e mi. Shpresoj që me sukses t’i kryejmë detyrat tona dhe të arrijmë objektivat që pronarët kanë vënë për klubin Shkëndija. Nuk mund të lë pa përmendur se unë gjithmonë kam qenë një ndjekës dhe simpatizues i flaktë i Shkëndijës, kjo më lidh akoma më shumë me klubin”, u shpreh Lulzim Imeri në deklaratën e tij të parë si kryetar i Shkëndijës.