Ndodh e papritura: Mustafa Nanos djemtë i bëhen myslimanë të devotshëm

Gazetari Ermir Hoxha ka komentuar debatin e Mustafa Nanos me imamin Elvis Naçi, mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Opinion’.

Gazetari Hoxha thotë se nëse imami do i kishte renditur Nanos arsyet e vërteta përse kanë shmangur komentet negative për të, në krye do të qëndronte meraku që dy djemtë e tij dhe nusja e njërit prej tyre, të mos ndiheshin keq.

Ai pretendon se dy djemtë të analistit dhe nusja e njërit prej tyre janë myslimanë të devotshëm, ndaj të gjithë myslimanët duhet të kenë parasysh këtë fakt kur vendosin ta linçojnë Mustafa Nanon verbalisht.

Reagimi i Ermir Hoxhës:

Këshillë hem shoqërore e hem vëllazërore:

Po vërej një turfullim përzier eufori te një pjesë muslimanësh, karshi Mustafa Nanos lidhur me debatin e mbrëmshëm në Opinion.

Nëse Visi – siç ne e thërrasim shoqërisht dhe vëllazërisht po ashtu imam Elvis Naçin, do i kishte renditur Nanos arsyet se përse ai ka shmangur komente negative për të, në krye të tyre do kishte qenë meraku që dy xhematlinj, vëllezër të tij në fe, më saktë dy djemtë e Muçit – njërin prej të cilëve, Edin, e kam personalisht dhe mik, siç dhe vetë Muçin me të cilin na njohën redaksitë e medias këtu e 17 vjet më parë – të mos ndiheshin keq nga opinionet negative për babanë e tyre, përfshirë këtu dhe një motër muslimane, nga ato kokë e këmbë, për vjehrrin e saj.

Ndaj dhe, duke iu referuar etikës islame, e cila është mbrujtur me vetëpërmbajtje e durim, kijeni parasysh dhe këtë fakt kur vendosni ta linçoni verbalisht, mbi të gjitha pra, babanë e dy xhematlinjve dhe vjehrrin e një motre.

Më së paku, përzgjidhni fjalët për të ndarë personin nga fenomeni. Sepse më së paku, dhe parë thellë-thellë, armiku ynë nuk është Muç Nano dhe ne, si komunitet, sfidat nuk i kemi me Muç Nanon, por me veten; me ato qindra problematike, sidomos të sferës etike, të cilat i vuajmë çdo ditë në jetën tonë komunitare, për të cilat duhet thënë nganjëherë “shyqyr që ata jashtë nesh nuk i dijnë të gjitha!”.

Qofshi të nderuar!