Ndërtimi i fabrikës në Mitrovicë fillon javën e ardhshme

Në Mitrovicë deri në shtator pritet të hapen edhe 350 vende të reja pune. Kreu i kësaj komune Agim Bahtiri, ka thënë se ky veprim do të ndërmerret me ndërtimin e fabrikës së kërpudhave që, sipas tij, do të fillojë javën e ardhshme.
Në një intervistë për gazetën Tribuna, Bahtiri ka paralajmëruar edhe organizimin e një konference të investitorëve më 15 maj, ndërsa bëri të ditur se qysh tash ka nënshkruar një parakontratë në vlerë prej 36 milionë eurosh për ndërtimin e një termocentrali prej 12 megavatëve

Kryetar i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka paralajmëruar se ndërtimi fabrikës së kërpudhave në këtë Komunë do të fillojë të ndërtohet javën e ardhshme. Gjatë një interviste për gazetën Tribuna, ai ka bërë të ditur se problemi me vendin ku do të ndërtohet fabrika nuk është zgjidhur, mirëpo, sipas tij, investitori ka vendosur që ta blejë atë pjesë të tokës dhe ndërtimi do të fillojë shpejt.

“E gjithë makineria që ka ardhur nga Japonia gjendet në një nga depot në Mitrovicë dhe unë paguaj qira për këtë, por në pamundësi të dhënies në shfrytëzim të tokës, ne tani kemi gjetur një tokë të cilën e kemi blerë në mënyrë private, bukur shtrenjtë dhe javën e ardhshme fillon ndërtimi i fabrikë së parë e cila do të përfundojë në muajin shtator dhe paralel do të nisë edhe ndërtimi i fabrikës së dytë. Ne jemi detyruar të veprojmë kështu sepse nuk e kemi marrë në shfrytëzim tokën dhe këtë nuk na kanë mundësuar njerëzit e pandërgjegjshëm”, ka thënë Bahtiri. Ai shtoi se nga ky investim do të punësohen 350 persona. Bahtiri ka treguar edhe për një marrëveshje të re që ka bërë me disa kompani të huaja për ndërtimin e një termocentrali të ri në Mitrovicë.

“Unë kam nënshkruar me një kompani amerikano-suedeze parakontratë në vlerë prej 36 milionë nga e cila do të ndërtohet një termocentral prej 12 megavateve, ndërsa si lëndë të parë do të ketë riciklimin e mbeturinave. Ne si Kuvend Komunal i kemi 25% të aksioneve në këtë investim duke ia garantuar këtij investuesi grumbullimin e mbeturinave”, ka thënë ai. Gjatë kësaj interviste kreu i Mitrovicës ka folur për 100 ditët e para të punës që, sipas tij, kanë qenë të suksesshme, ndërsa e ka përjashtuar çdo mundësi që një ditë t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës./Tribuna