Ndërron jetë papritur gazetarja e njohur shqiptare (FOTO)

Në mënyrë të papritur, sot ka ndërruar jetë gazetarja dhe shkrimtarja Arlinda Canaj. Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga e bija, e cila ka përdorur faqen e FB të Arlindës për të njoftuar lajmin e hidhur.

Konica.al, media ku punonte së fundmi Arlinda, po ashtu, ka njoftuar ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të koleges së tyre. “Arlinda Canaj, gazetarja kryesore e Konica.al, ka vdekur sot papritmas! Jeta shpesh nuk është gjë tjetër veçse një shaka tragjike. Një gazetare themeluese e Konica.al, një nga gazetaret kulturore më të rëndësishme të vendit, Arlinda, kolegia jonë ka humbur jetën sot papritmas. Në mëdyshjen për të mos spekuluar me vdekjen e saj dhe dëshirës që njerëzit e saj të dashur të kenë më shumë solidaritet, ne zgjodhëm të dytën! Çfarë dhimbje të shkruash këto fjalë për një jetë të re! Për një nënë! Për një kolege të përkushtuar dhe elitare që deshi ta përçmonte jetën e zakonshme! Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe fëmijëve nga Shpëtimi, Mentori, Indriti, Esido, Ornela, Edmondi, Bardha, Merita, Andreas, Migena, Anisa, Xhesika, Eduardi e Marsela”.

Edhe shumë prej miqve të saj të afërt e kanë ndarë dhimbjen përmes profilit të tyre. Monika Stafa, përmes një statusi në Facebook, shkruan: “Nuk mund te shkoje keshtu. ..pa nje fjale. Kishim lene te takoheshim serish e te flisnim gjate. Edhe ne mos ndryshonim bote. ..te pakten do ushqenim dashurine per jeten! E dashur Arlinda Canaj, jo, nuk ta fal aspak kete arratisje drejt nje clirimi te pakuptimte. Kishe ende beteja per te luftuar. Dhe jam e sigurt si dhe kam qene per ty, se ti ato do i kishe fituar sy per sy e dhembe per dhembe. #kurajo #lavitaebellaanchenelbuio
Kolege e dashur…hena te ndihte rrugen!”