Ndahet çifti i shumë përfolur i Big Brother 4

Pas 2 vitesh lidhje intensive, merr fund lidhja e Ogrenit me Nedën
Historia e tyre ishte ndër më të diskutuarat dy vite më parë në lojën e “Big Brother 4”, edhe për faktin se kundër tyre u vunë gjithë banorët e tjerë. Përveç përputhjes, i ndihmoi të lidheshin më shumë me njëri-tjetrin kundërvënia e konkurrentëve, të cilët e shprehën hapur antipatinë dhe skepticizmin për një dashuri të sinqertë mes tyre. Por Neda Karafili dhe Ogren Balluku vërtetuan të kundërtën pas daljes nga shtëpia, duke u afruar edhe më shumë, në një lidhje intensive në çdo moment së bashku.

U duk se aq shumë qëndruan pranë njëri-tjetrit, sa u bënë shumë shpejt si burrë e grua në publik, duke e konsumuar shumë shpejt lidhjen. Tashmë ata shikohen pa praninë e njëri-tjetrit në ambiente publike, duke frekuentuar secili shoqërinë e vet. Nuk dihen arsyet e vërteta të ndarjes, po thjesht është komentuar si një fund që ka ardhur natyrshëm mes tyre. Momentalisht Ogreni menaxhon një supermarket në Tiranë, ndërsa Neda ndjek studimet për Gazetari. Menjëherë pas daljes nga loja si çift, ata vendosën të qëndrojnë disi të tërhequr nga jeta publike, duke e frekuentuar gjithmonë e me rrallë club-et e natës. Ata pohuan në media se kjo ishte një zgjedhje e tyre pasi u pëlqente të qëndronin më shumë në shoqërinë e njëri-tjetrit, pa e pasur të nevojshme praninë e personave të tjerë. Muajt e parë lidhja e tyre po shkonte mirë. Në katërmujorin e njohjes së tyre, Neda i bëri një surprizë të veçantë Ogrenit, duke shkruar te muri përballë apartamentit të tij parullën: “Gjithmonë bashkë”, një zakon që ajo e shfaqi dhe brenda shtëpisë së vëzhguar. Por në një lidhje asgjë nuk mund të parashikohet. Tashmë ata kanë fshirë çdo kujtim së bashku, pasi në profilin e Nedës në facebook nuk gjendet më asnjë foto me Ogrenin. Ajo ka postuar këto ditë foto ndërsa argëtohet me mikeshat e saj në club.