Napoli-Juventus pa fitues – VIDEO

loading...

napoli-juve

loading...
Nuk ka fitues në “San Paolo” ku Napoli humbet rastin më të mirë për të rihapur luftën e titullit kampion. Të kaltrit e Mazzarrit nuk mundën të thyenin barrierën Juventus edhe me ndihmën e 60 mijë të pranishmëve, duke barazuar 1-1 në një ndeshje ku rastet dhe loja e shpejtë nga të dyja krahët nuk munguan. Pjesa e parë tregoi se tapeti i ri i “San Paolos” do të ofronte ritëm frenetik. Kur kaluan rreth 60 sekonda, Napoli ndërmori inisiativën i pari me Hamsik që gaboi në finalizim duke e çuar topin shumë metra lart portës së Buffon. Juventusi nuk pranoi të pajtohej me faktin që lojën mund ta bënte skuadra e Mazzarrit sepse në minutën e 8-të, Giovinco dha shkëndijën e parë të rrezikshme të ndeshjes kur topi i tij u grushtua nga De Sanctis. 2 minuta më vonë Pirlo dhuroi një penelat nga e djathta e sulmit të cilën e konkretizoi Chiellini duke shfrytëzuar përgjumjen e Britos që më shumë se aksioni e kishte mendjen te anësori.

Mbrojtësi bardhezi nuk gaboi duke ngrirë 60 mijë të pranishmit në stadium. Por vuajtjet e skuadrës së Mazzarrit nuk u mbyllën këtu sepse bardhezinjtë kërcënuan sërish në minutën e 20-të me Vucinic që gaboi një gol pothuajse të sigurt vetëm për vetëm me De Sanctis ku portieri napolitan mbajti në lojë skuadrën e tij. Minutat ngrinë në mesin e pjesës së parë kur një përplasje kokë më kokë mes Britos e Inler e la pa ndjenja për disa sekonda mbrojtësin. Napoli u kujtua për të vizituar portën e Juventusit me Hamsik në minutën e 34-rt por goditja e Hamsik nuk filtroi në mbrojtjen bardhezi. Kur dukej se Conte dhe banda e tij e kishin në dorë Napolin, Inler nxorri nga balta Mazzarrin me një të djathtë vrasëse nga rreth 30 metra në minutën e 43-të, duke vendosur barazpeshën. Por paqja në rezultat nuk u reflektua edhe në fushë sepse gjatë sekondave të fundit, Chiellini dhe Cavani u përfshinë në një konfrontim fizik që përfundoi me kartonin e kuq në dëm të uruguajanit. Kaluan 13 minuta nga pjesa e dytë dhe është sërish Hamsik ai që ngacmon Buffon por gardiani i kombëtares italiane nuk kapet në befasi dhe e devijon topin në goditje nga këndi.

Juventus humbi busullën në fushë dhe Napoli tregoi më shumë dëshirë me dy raste brenda minutës së 20-të, por topi nuk e preku rrjetën bardhezi edhe për çështje fati. Pistonat e Contes fillojnë të funksionojnë. Malazezi Vucinic lëshon një bombë nga jashtë zonës por De Sanctis grushton, ndërsa Hamsik bëri të njëjtën gjë në minutën e 73-të, por historia nuk përfundoi këtu sepse pas grushtimit të Buffon, Xhemajli u tregua i pavëmendshëm për ta kaluar topin pas krahëve të portierit mik. Inler tentoi sërish nga jashtë zonës por Buffon nuk ia lejon gëzimin e dytë personal mesfushorit zviceran. Këtu mbyllet gjithçka, por ndoshta në “San Paolo” mbyllet edhe gara për kampionatin sepse Juventusi vazhdon të kryesojë me 6 pikë më shumë se të kaltrit që tashmë duhet të kryqëzojnë gishtat për ndonjë hap fals të kampionëve në fuqi.

Antonio Conte nuk mundi të shijonte fitoren në “San Paolo” kundër Napolit pasi ndeshja përfundoi në barazim 1-1, ku golit të Chiellinit i kundërpërgjigjet Inler në mitutën e 43-të. “Mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, por kjo nuk ndodhi. Treguam një performancë të mirë dhe shumë disiplinë në një stadium të zjarrtë përballë një tifozerie të madhe. Gara për titullin është ende e hapur, ne jemi vetëm 6 pikë larg Napolit, pa harruar se duhet të luajmë kundër Milanit, Interit dhe një surprize si Catania”, deklaroi Conte.

Pas supersfidës me Juventusin e cila përfundoi në barazim 1-1 në “San Paolo”, tekniku i Napolit, Walter Mazzarri deklaroi se ndeshja mund të ishte mbylluar me fitoren e të kaltërve. “Jam i lumtur se si luajti skuadra, sidomos në pjesën e dytë. Më vjen keq për rezultatin dhe për rastin e humbur nga Dzemaili pasi ndeshja mund të mbyllej me fitoren tonë. Besoj se meritonim të merrnim tre pikë pasi krijuam shumë raste se Juventusi. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të punojmë fort dhe do të mundohemi gjithmonë të arrijmë rezultate pozitive”, përfundoi tekniku.


Napoli vs Juventus 1:1 MATCH HIGHLIGHTS by UCL2410

loading...