Mustafa nënshkruan memorandum bashkëpunimi me BERZH

Kryeministri Isa Mustafa dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për mbështetjen e sektorit privat.

Kryeministri Mustafa e vlerësoi lartë rëndësinë e nënshkrimit të këtij memorandumi dhe përkrahjen e deritashme të BERZH-it për Kosovën, duke përfshirë sektorin privat.

“Kemi nevojë që sektorin privat të biznesit ta fuqizojmë në Kosovë, të bëjmë reforma strukturore në ekonomi, të bëjmë reformat të cilat mund të lidhen me tregun e Bashkimit Evropian dhe me tregjet tjera. Por, poashtu, të kemi lidhje edhe më të mira me regjionin në pikëpamje të zhvillimit ekonomik dhe të bashkëpunimit. Ne vlerësojmë të gjitha projektet që kemi zhvilluar me ju, që nuk janë pak, kanë ndikuar që të përmirësojnë gjendjen ekonomike dhe sociale në vendin tonë dhe këtë sukses e shohim si sukses të mbështetur fuqimisht nga ju”, tha kryeministri Mustafa.

Presidenti i BERZH-it ka thënë se nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BERZH-it ofron një kornizë për përkrahje të përbashkët të sektorit privat në Kosovë.

BERZH deri tani ka investuar 227 milionë euro në 51 projekte në Kosovë, ndërsa me 157 milionë euro po mbështeten projektet ekzistuese.

The post Mustafa nënshkruan memorandum bashkëpunimi me BERZH appeared first on albagrafi.