Mustafa e Haradinaj u takuan në aeroportin e Frankfurtit (Video)


Mustafa e Haradinaj u takuan në aeroportin e Frankfurtit (Video)
Autori: Lajmi.net Lajme, Politikë 21:39, 30 April 2016

Isa Mustafa në Bruksel e Ramush Haradinaj në Suedi. Këto ishin destinacionet e kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës para pak ditësh.
Por gjatë kthimit në Kosovë, të dy u takuan në një vend evropian. Mustafa e Haradinaj u bënë bashkë në aeroportin e Frankfurtit. Lajmi.net ka siguruar një video ku të dy liderët shihen në të njëjtin aeroplan.
Haradinaj është vetëm në kthim e sipër nga Stokholmi ku u takua me bashkatdhetar, ndërkaq Mustafa së bashku me delegacionin qeveritar, pas kthimit nga Brukseli ku u takua me presidentin e Komisionit Evropian.
Sipas bashkudhëtarëve që ishin në aeroplanin e njëjtë, dy politikanët kosovarë nuk janë përshëndetur fare para pasagjerëve kosovarë. Por nuk dihet nëse ky udhëtim i përbashkët ishte i rastësishëm, apo ka pasur ndonjë takim larg syve të opinionit, raporton lajmi.net
Kjo pasi Haradinaj, pas prishjes me Lëvizjen Vetëvendosje, është akuzuar vazhdimisht nga kjo e fundit, për flirtim me pushtetin.
“Jemi të brengosur në veçanti për takimet dhe kontaktet e AAK-së me ata të Qeverisë, duke flirtuar”, pati thënë Albin Kurti në një intervistë për mediat shqiptare. Megjithatë, një gjë e tillë është mohuar nga zyrtarët e partisë së Haradinajt. /lajmi.net
Ramush-Haradinaj-1-1-650x358