Mourinho drejt Chelseat, Ancelotti tek Reali

loading...

mou-ance

loading...
Jose Mourinho do të largohet nga Reali i Madridit në qershor. Këtë lajm e bën fakt të kryer e përditshmja sportive madrilene “AS”, sipas së cilës trajneri portugez e ka vendosur tashmë që të ndërrojë skuadër, pavarësisht se si do ta mbyllë sezonin te “galaktikët” duke fituar trofe apo jo. Pakti mes të dy palëve është vendosur që në muajin janar. Mourinho ka një marrëveshje me drejtuesit e klubit, në bazë të së cilës kontrata do të ndërpritet dhe ai do ketë mundësinë që t’i japë fund punës së tij në Madrid dhe të lëvizë në një tjetër klub.

Mediat e huaja flasin për një rikthim të “Special One” te Chelsea. Portugezi gjithmonë e ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer dhe drejtuar në Angli e Londër, ai është ndier mirë. Për më tepër që “blutë” kanë në stol një trajner të përkohshëm si Rafa Benitez, i cili nuk pëlqehet aspak nga presidenti Abramoviç dhe tifozët, që vazhdimisht e kontestojnë atë në stadium. Për më tepër që ata janë të paduruar ta shikojnë sërish Mourinho në stol. Aktualisht “Special One” nuk flet për të ardhmen e tij, pavarësisht interesimit të mediave, duke u shprehur se janë edhe 2.5 muaj deri në përfundim dhe se vëmendja e tij është vetëm Reali.

Ndërkohë, gjatë një interviste për “Le Parisien”, presidenti i Paris Saint-Germain (PSG) Nasser Al-Khelaifi ka përjashtuar mundësinë e ardhjes së Jose Mourinhos në drejtimin e skuadrës. “Nuk i di problemet në kontratën e Mourinhos, por ky nuk është një problem që më përket mua. Është një trajner të cilin e respektoj, ashtu siç respektoj Wengerin. Kemi Ancelottin që është një nga më të mirët në botë”. Gjithashtu Nasser Al-Khelaifi deklaroi se e ardhmja e Leonardos është në Paris. “Leonardo do të qëndrojë këtu, kam një marrëdhënie të mirë me të”, përfundoi presidenti.

Drejtuesit madrilenë nuk po rrinë duarkryq dhe kanë nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e Mourinho. Karlo Ançeloti, i cili dallohet për eksperiencën e tij dhe sukseset e shumta gjatë karrierës, shikohet nga “galaktikët” si njeriu që do ta ndihmojë ekipin drejt të tjera triumfeve. Vetë italiani nuk do të refuzonte një transferim drejt një klubi të madh si Reali i Madridit. Pengesa për të është PSG-ja, porse mediat franceze raportuan dje për një interesim të madh të parisienëve për trajnerin e Shahtjor Donetskut, Mirçea Luçesku. Rumuni ka ndër mend të largohet nga klubi ukrainas në fund të sezonit dhe në Francë madje kanë publikuar edhe ofertën e PSG-së, për të: 6 milionë euro në sezon dhe një kontratë trevjeçare. Të tilla shifra dhe të tillë klub Luçesku zor t’i refuzojë. Kështu fundi i sezonit pritet që të ketë zhvillime të rëndësishme sa i përket merkatos së trajnerëve.

loading...