MotoGP, Valentino Rossi rikthehet në krye

loading...

rossi

loading...
Valentino Rossi rikthehet përsëri në majat më të larta të Klasit Mbretëror. Doktori e bën këtë jo në garë, pasi nevojitet ende kohë për startin e kampionatit në Moto Gp, por në teste. Në ditën e dytë dhe të fundit të provave në Jerez, të Spanjës, testimet e të gjithë pilotët filluan sërish në kushte të vështira për shkak të reshjeve që të Dielën paradite lagën cirkuitin andaluzian. Në vazhdim kushtet e pistës u përmirësuan ndjeshëm, aq sa pilotët provuan gomat slick, sidoqoftë në provat e para u regjistrua një rrëzim i pilotit iberik Alvaro Bautista, të ekipit Honda Gresini, i cili humbi kontrollin në kthesën Sito Pons.

Bautista më pas iu nënshtrua kontrolleve rutinë, pas të cilave rezultoi se piloti spanjoll ka pësuar një frakturë në gishtat e katërt dhe të pestë të dorës së majtë. Reshjet filluan përsëri në Jerez dhe gjërat u komplikuan për të gjithë pilotët, sidoqoftë ai që u tregua më i zoti ishte 7 herë kampioni i botës Valentino Rossi, i cili i mbylli provat e dyta me kohën 1’39”525, duke mposhtur për vetëm 0,015” shokun e tij te ekipi Yamaha, Jorge Lorenzo. Veterani qëndroi në pistë për plot 46 xhiro, ndërsa kohën më të shpejtë e fiksoi në xhiron e tij të 29, ndërsa kampioni në fuqi kompletoi 34 xhiro gjithsej.

Pas tyre u rendit një tjetër motor Yamaha, ai i skuadrës satelite Tech 3, me të cilin Cal Crutchlow i përfundoi provat me vetëm 0,049” diferencë kundrejt kohës së Rossi-t. I katërti me afro 0,1” vonesë nga piloti Italian u pozicionua Dani Pedrosa, me Honda, ndërsa i distancuar 0,8” nga vendi I parë e përfundoi ditën me Ducati-n e tij të ri Andrea Dovizioso. Marc Marquez u klasifikua në vendin e shtatë, me afro 1,2” diferencë kundrejt kohës së Rossi-t, ndërsa prapa tij u renditën me radhë Stefan Bradl, Andrea Iannone e Nicky Haiden. I pari nga motorët CRT u klasifikua Hector Barbera. Piloti spanjoll i skuadrës Avintia, që përdor një grup motori Kawasaki, u pozicionua në vendin e 11, me afro 1,8” vonesë nga vendi i parë. Mbyllen kështu edhe provat e treta dhe të fundit, përsa I përket testimeve të dimrit, e tani radhën e kanë garat të cilat startojnë pas dy javësh në Doha, me Cmimin e Madh të Katarit, që do të zhvillohet si zakonisht në cirkuitin e Losail-it.

loading...