Moratti: Interi i sezonit 2013-2014 do të bazohet kryesisht te të rinjtë

morattiInteri i sezonit 2013-2014 do të bazohet kryesisht te të rinjtë dhe këtë fakt e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e skuadrës zikaltër. Drejtori i përgjithshëm i Interit, Marko Fasone, ka bërë bilancin e “blerjeve” të deritanishme për skuadrën, duke filluar që nga konfirmimi i blerjes së talentit të Sampdorias, Mauro Ikardi. “Bilanci për momentin na ndalon shpenzime të çmendura, por kemi arritur të mbyllim 5 goditje interesante për sezonin e ardhshëm: Laksalt, Kampanjaro, Andreolli, Bota dhe Ikardi”, shpjegoi drejtuesit i Interit.

Nga ana tjetër, presidenti Morati ka hedhur poshtë zërat për largimin e portierit Samir Handanoviç, duke bërë të qartë se dëshironte të mbante përsëri sllovenin në radhët e skuadrës së tij dhe nuk mendonte për një shkëmbim me Sançez të Barcelonës. “Sançez është një lojtar shumë i mirë, por ata që bëjnë diferencën janë lojtarë të tjerë, të vështirë për t’u blerë. Handanoviç është një kolonë mbështetëse për ne, do të mundohemi ta mbajmë”. “Bossi” i zikaltërve ka folur edhe për investitorët e rinj, si dhe për hartimin e strategjive për ndërtimin e stadiumit: “Është e vërtetë që po kërkoj investitorë të rinj për klubin. Për momentin nuk mund t’ju jap përgjigje përfundimtare, pasi jemi ende në fazat e para. Ideja për ndërtimin e një impianti të ri është shumë interesante, por nuk duhet të nënvlerësojmë ‘San Siro’-n, për të cilin po hartohet një projekt shumë i bukur. Stadiumi i ri kërkon një kohë të gjatë për t’u ndërtuar, ndaj do të rrimë për një kohë të gjatë në ‘San Siro’”.

Nuk mund të mungonin pyetje dhe për një rikthim të mundshëm të Leonardos: “Sinqerisht nuk e besoj se ai do të rikthehet. Është mirë në Paris dhe ne nuk mund të krijojmë kushte të përshtatshme në merkato, siç mund të bëjë PSG-ja. Me të më lidh një miqësi e sinqertë dhe shpeshherë i marr ndonjë mendim për lojtarë të ndryshëm”. Në fund, presidenti i Interit e mbyll me një batutë mbi Bayernin e Myhinut, i cili shkatërroi Barcelonën me rezultatin 4-0: “Shikova thjesht një ndeshje shumë të bukur. Tanimë Bayernin mund ta mundim vetëm ne, pasi e kemi bërë dy herë radhazi”(qesh).