Mjeku shqiptar e shpëtoi serbin e prerë në fyt (Foto)

mjeku-shqiptar-e-shp-euml-toi-serbin-e-prer-euml-n-euml-fyt-foto_hd

Srgjan Zhiviq (1972) nga Pasjani, sot është gjallë falë mjekut shqiptar Luan Mustafa, kirurg në Spitalin Regjional të Gjilanit.

“Pacienti erdhi në emergjencë, tridhjetë minuta pas mesnatës, me një gjakderdhje të madhe nga fyti, ku ishte prerë me një shishe të thyer, nga një person tjetër dhe sikur të humbje dhe një minutë e vetme për të përgatitur anestezionin, ai nuk do të mbijetonte”, thotë për Portalin ‘2L ONLINE’, mjeku Luan Mustafa.

Pacientin e kanë vizituar të nesërmen edhe mjekë serbë dhe ata janë befasuar se si mjeku shqiptar ka arritur ta shpëtojë një rast kaq të rëndë, siç janë prerjet në fyt, që zakonisht përfundojnë me vdekje.

Zhiviq do të mund t`i shoh sërish dy fëmijët e tij dhe gruan në Pasjan, ku jeton. “Bashkëvendësit e mi më pyetën se ku dëshiroja të më dërgonin, në Shillovë, apo në Gjilan, pas asaj që më kishte ngjarë me një kushëri timin, pas një debate rreth zgjedhjeve të fundit për pushtet lokal në komunën e Pasjanit, ku ne ishim të ndarë për kandidatët. Unë zgjodha Gjilanin dhe bëra mirë, sepse sot jam këtu. Diku tjetër nuk do të arrija gjallë”, thotë Zhiviq, teksa i falënderohet mjekut Luan Mustafa që e bëri të pamundurën brenda aq pak minutash, për t`ia shpëtuar jetën.

Thotë se më pare nuk ka qenë në Spitalin e Gjilanit, jo pse nuk ka besim te mjekët shqiptarë, por nuk ka pasur nevojë.

Edhe mjeku Mustafa ndihet mire që ka triumfuar ndaj vdekjes në një rast si ky, që shkencërisht përfundojnë me vdekje, sepse është e vështirë t`I kryesh gjithë ato ndërhyrje për ta shpëtuar një pacient të prerë në fyt e që gjakderdhës si lum.

“Gjakderdhja është ajo që merr jetë”, thotë mjeku.

Ai sqaron se pacienti erdhi në një shok hemorragjik, si pasojë e dëmtimit të enëve vitale të gjakut dhe muskulit të qafës dhe për ta mbajtur në jetë, pos reagimit të shpejtë, u desh t`I jepen edhe katër doza gjaku.

Mbikëqyrja e parametrave vitalë, gjatë operacionit, u bë nga mjeku me përvojë, Selami Kurteshi, por pa anestezion, në prani edhe të mjekut të ORL-së, Nazmi Emini.

Serbi nga Pasjani, dikur punëtor i Kombinatit të tekstileve në Gjilan, tani bujk, thotë se bashkëvendësit e tij nuk kanë arsye të mos u besojnë mjekëve shqiptarë, sepse vetë është dëshmitar se çfarë përpjekje bënë ata për ta shpëtuar.

Sikur të vonoheshin për ta përgatitur sallën operative dhe për të pritur kohën për anestezion, pacienti do të kishte ikur nga jeta.“Në mjekësi, koha përkthehet me jetë. Po i humbe sekondat, e ke humbur një jetë njeriu”, thotë mjeku Luan Mustafa.