Mjekët ia morën fëmijën nga duart dhe ia zhdukën pa gjurmë

Ribashkimi i nënës me Shkëmbimin nuk ka ndodhur asnjëherë.

S hkëmbimi do t`i kishte sot 17 vjet, po të ishte gjallë. Ndoshta edhe është diku. Familja Selimi nga Llashtica e Gjilanit nuk di asgjë për fatin e djalit të saj, i lindur në kohën e luftës, sepse mantelbardhët e atëhershëm në Spitalin e Gjilanit ia humbën nënës së re pa gjurmë beben e sapolindur. Prindërit Naip e Xhylije Selimi vazhdojnë të jetojnë me dhembje e ëndrra për djalin e zhdukur nga mjekët. Xhylija kishte lindur një djalë të shëndetshëm gjatë kohës së luftës. E kishin pagëzuar Shkëmbim. Por, gëzimi i familjes Selimi shumë shpejt do të kthehet në një ankth, që do t`i përcjellë gjithë jetën. Të nesërmen që kishte lindur, mjekët e Spitalit të Gjilanit i thonë nënës së re se djali i saj ka nevojë për trajtim më të thellë. Ia marrin nga duart dhe e dërgojnë në Prishtinë. Nënë Xhylija ndjeu dhembje të madhe në zemër, por nuk mundi të bëjë asgjë për ta mbajtur djalin pranë vetes. Nuk dinë se çka të bëjnë. Fillon të mërzitet shumë për shëndetin e fëmijës dhe fatin e tij.

Mjekët i kishin thënë se gjendja e bebes ishte serioze. Një motër e spitalit i thotë të mos mërzitet, sepse fëmija do t’u kthehet, por nuk ndodhi kështu. Ribashkimi i nënës me Shkëmbimin nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani. “Unë linda një fëmijë të shëndetshëm, nuk di pse ma morën” Nënë Xhylija beson se fëmija ishte normal dhe nuk ka pasur nevojë për intervenim. “Nuk di pse ma morën fëmijën. Unë, Shkëmbimin e kam mbajtur një orë e më tepër në dorë. Sa shumë e desha. Nga lumturia që Zoti më kishte gëzuar me një djalë, nuk i përmbaja as lotët, duke mos e ditur se ata do të jenë edhe lot dhembje”. Nëna e re nuk e kishte paramenduar ndarjen me të birin e sapo ardhur në jetë. “Ma morën Shkëmbimin nga duart e ma dërguan në Prishtinë. Nga ajo ditë, djalin nuk e pashë kurrë më. Vetëm unë e di sa po vuaj për qenien e shpirtit tim, që më mungon prej 17 vitesh. Ngado që eci nëpër shtëpi, mendja më shkon te Shkëmbimi. Trishtohem kur mendoj që ai mungon. Po të ishte me ne, sot do të ishte në shkollë, por…”. Edhe Naipi ka dhembje, derisa kujton ngjarjen e para 17 viteve. “Ishte 24 mars 1999. NATO-ja kishte filluar bombardimet mbi forcat serbe.

Mua m`u desh të marrë rrugë për Gjilan. Një rrugë plot me rreziqe. Mezi arrita në spital, ku ishte shtrirë gruaja për të lindur. Në Llashticë, popullata kishte lënë shtëpitë dhe ishte strehuar në mal. Edhe ne ikëm atje, për t`u bashkuar me të tjerët. Nën qiellin e hapur i kaluam dy javë të tëra. Bënte ftohtë dhe binte shi. Gruaja akoma nuk e kishte marrë veten, pas lindjes. Kisha frikë se mund të vdiste në mal”, tregon ai. Ai thotë se më 13 prill 1999, paramilitarët serbë i zunë në mal. “Na detyruan të kthehemi mbi fshat, me duart prapa. Rrugës na kanë rrahur e keqtrajtuar rëndë. Po këtë ditë, paramilitarët serbë i vranë e masakruar Ali Selimin, Enver Murselin, Nezir Ramushin. Lugu i Avdisë vinte erë të rëndë nga kufomat e lëna mbi tokë. Na këto skena, fëmijët qanin”. Afër fshatit, paramilitarët serbë ua plaçkitën të gjitha sendet me vlerë. “Na fyen e na rrahën para fëmijëve e grave”. I hipën nëpër traktorë dhe i nisën në rrugë pa kthim. U thanë “shkoni në Shqipëri”.

Loja me prindërit

Kur hynë forcat e NATO-s në ovë, Xhylia me bashkëshortin Naipin, morën rrugën për ta kërkuar fëmijën e tyre në Prishtinë. Naipi rrëfen ngjarjen: “Mezi prisja ta shoh Shkëmbimin. Po këtë gëzim e kishte edhe Xhylia. Kur arritëm te Spitali në Prishtinë, e pyetëm një motër për djalin. Ajo tha se djali ynë ishte në spital dhe shkoi ta sjellë. Në këtë pritje të gjatë, dëgjoja zëra fëmijësh nga brenda. Më dukej sikur po e ndieja edhe zërin e djalit tim. Nuk prisja dot që ta shihja Shkëmbimin. Por, ajo motra shqiptare që na dha lajmin e mirë, nuk u kthye më. Më vonë erdhi një motër serbe dhe na tha se fëmija juaj mungon”. Fjalët e saj na shtangën në vend. Si është e mundur kjo – pyetëm. E njëjta motër, na tha: “Kot pritni këtu”. Mbetëm pa fjalë. Na qante zemra e shpirti. Shkëmbimi nuk ishte aty”, tregon ajo. Xhylija filloi të qajë si fëmijë dhe e vriste dilema. “Motra shqiptare na tha se djali ishte aty, kurse ajo serbe tha se djali ynë mungonte. Këmbëngula të ma gjejnë fëmijën tim. Erdhi përsëri një serbe e na tha se po ua japim një fëmijë tjetër. Nuk pranuam. Ajo iku e ne u larguam nga spitali, por me dhembje e zemra të thyera”. Pas disa ditësh, ata shkojnë përsëri në Prishtinë. Hynë në zyrën e drejtorit. Ai ishte serb. Kur i treguan rastin, drejtori e hapi një libër për t’iu treguar se fëmija paska vdekur pas pesë ditësh nga koha kur ishte dërguar në Prishtinë. “U kthyen në shtëpi. Shtëpinë ua kishte djegur lufta. Ndërkohë, Kryqi i Kuq i kishte njoftuar se fëmija ishte gjetur. “Ky fëmijë ishte vajzë, ndërsa unë kisha lindur djalë. Edhe ata u bindën se ky fëmijë nuk ishte yni”. Bashkëshortët Xhylija e Naipi u desh të vazhdojnë jetën. Zoti u fali Shkëlqimin, Elvirën dhe Shkëmbimin e dytë. Ky lindi në liri. Ai i pari kishte lindur në luftë.Mjekët ia morën fëmijën nga duart dhe ia zhdukën pa gjurmë