Misteret e Luginës së Vdekjes në Siberi,ja ç’thonë dëshmitarët (Video)

eks21

Përreth një zone të gjerë dhe pak të populluar, Yakutia në Siberi mund të gjenden struktura të çuditshme metalike dhe evidenca të shpërthimeve shkatërruese të tipit bërthamor çdo gjashtë ose shtatë shekuj.
Në veriperëndim të Yakutia-s, Siberi, në basenin e pjesës së sipërme të lumit Viliuy ndodhet një zonë që është e vështirë ta arrish dhe që përmban gjurmë të një kataklizme të tmerrshme që ka ndodhur rreth 800 vjet më parë dhe që mbuloi një pyll të tërë me mbeturina gurësh në një sipërfaqe prej qindra kilometrash katrorë. Të shpërndara në këtë zonë janë dhe disa objekte metalike misterioze, të cilat ndodhen thellë në nëntokën e ngrirë. Në sipërfaqe prania e tyre tregohet vetëm nga disa “arna” gjelbërimi të çuditshme. Emri i lashtë për këtë zonë është Uliuiu Cherkechekh, që do të thotë “Lugina e Vdekjes”.
Për shumë vite, njerëzit yakut e kanë rrahur me pëllëmbë këtë zonë të humbur, që ka luajtur dhe që vijon të luajë një rol të veçantë dhe të fuqishëm për fatin jo vetëm të civilizimit, por edhe të gjithë planetit tonë në tërësi. Mbasi u mblodh sistematikisht një numër shumë i madh raportimesh dhe materialesh të ndryshme, ne vendosëm që të informojmë publikun e gjerë për diçka që mund të ndryshojë perceptimin e botës që na rrethon dhe vendi që kemi ne nëse njerëzimi do i vërë veshin me kujdes kësaj që do të shkruaj.
Në mënyrë që të paraqitet e gjithë pamja do të më duhet ta ndaj këtë material në tri pjesë. Pjesa e parë, përmban faktet dhe raportet nga dëshmitarët okularë në mënyrën origjinale sesi na janë raportuar. Pjesa e dytë, paraqet legjendat e lashta të njerëzve që jetojnë në këtë zonë, si dhe epika poetike e njerëzve fqinjë, të cilët kanë vënë re fenomenin e çuditshëm. Kjo është e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë ju mund të kryeni hetimet tuaja dhe të vlerësoni vetë çdo detaj të ngjarjeve.
Dëshmitarët okularë
Zona në fjalë mund të përshkruhet si një masë solide moçalesh e alternuar me tajgën pothuajse të pakalueshme që mbulon një zonë prej 100 mijë kilometrash katrorë. Disa histori dhe zëra jo të zakonshëm i janë bashkëngjitur kësaj zone dhe që lidhen me objekte metalike të një origjine të panjohur dhe që ndodhej përreth zonës. Në mënyrë që të ndriçohet çdo gjë që i dha shtysën këtyre zërave, ne duhet t’i drejtohemi historisë së lashtë të kësaj zone që të zbulojmë besimet dhe legjendat e saj.

Ja arritëm të rikrijonim elementet e paleotoponominës lokale dhe kjo përputhej në mënyrë të habitshme me përmbajtjen e legjendave të lashta. Çdo gjë tregonte se legjendat dhe zërat në fakt i referoheshin disa gjërave specifike. Në kohët e lashta, Lugina e Vdekjes bënte pjesë në rrugën e rrahur nga popullsia nomade evenk, nga Bodaibo për në Annybar dhe në brigjet e detit Laptev. Deri në vitin 1936, një tregtar i quajtur Savvinov vazhdonte të tregtonte përgjatë kësaj rruge; kur ai e braktisi biznesin edhe vetë banorët i braktisën gradualisht ato zona. Më në fund, tregtari i moshuar dhe e mbesa e tij Zina, vendosën të lëviznin në Siuldiukar. Diku në një tokë midis dy lumenjve, që njihet si Kheldyu (“shtëpia prej hekuri” në gjuhën lokale), i moshuari e çoi atë në një si hark ose qemer të sheshtë në ngjyrë të kuqërremtë, ku, mbrapa një si kalimi spiral, ata panë një numër të caktuar dhomash metalike në të cilat kaluan natën. Gjyshi i Zinës i tha asaj se brenda në dhoma edhe gjatë të ftohtit më të ashpër ishte ngrohtë.

Në ditët e mëparshme ka patur pjesëtarë të gjahtarëve të zonës, të cilët kalonin natën nëpër këto dhoma. Por, më pas ata filluan të ndiheshin të sëmurë dhe ata që kishin kaluar disa netë nëpër këto dhoma vdiqën brenda një kohe të shkurtër. Yakut thoshin se vendi ishte “shumë i keq, moçalor dhe që as kafshët nuk shkonin atje”. Vendndodhja e të gjitha këtyre ndërtimeve dihej vetëm nga njerëzit e moshuar, të cilët në rininë e tyre kishin qenë gjahtarë dhe i kishin vizituar këto vende shpesh. Ata kishin bërë një jetë nomadësh dhe njohuria e tyre e hollësishme për zonën dhe se ku duhej apo nuk duhej të shkojë ishte diçka e një rëndësie jetike.

Tani të vetmet gjëra që tregojnë për ekzistencën e këtyre ndërtimeve janë emrat e vendeve të lashta, të cilat kanë mbijetuar në formën e rrëfenjave. Por secili prej këtyre toponimeve përfaqëson qindra, në mos mijëra kilometra katrore.

Në vitin 1936, përgjatë lumin Olguidakh (“vend me kazan”) një gjeolog i drejtuar nga të moshuarit vendas u gjend përpara një hemisfere metalike të lëmuar në ngjyrë të kuqërremtë që dilte nga toka me një kënd kaq të thepisur sa mund të prisje dhe një thua. Muret e saj ishin rreth 2 centimetra të trasha dhe dilnin nga toka rreth 1/5 e diametrit të saj. Qëndronte e përkulur në mënyrë të tillë sa ishte e pamundur që t’i kaloje nën të duke kalëruar një dre polar. Gjeologu dërgoi një përshkrim të këtij objekti në Yakutsk, qendra rajonale. Në vitin 1979, një ekspeditë arkeologjike nga Yakutsk u përpoq që të gjente hemisferën e zbuluar nga gjeologu. Anëtarët e ekspeditës kishin me vete një shoqërues, i cili e kishte parë strukturën disa herë, por ai u shpreh se që nga ajo kohë zona kishte ndryshuar shumë dhe përpjekjet për ta gjetur dështuan. Duhet përmendur se në këtë zonë mund të kalosh dhjetë hapa afër diçkaje dhe mund të mos e dallosh. Pra, zbulimet e mëparshme kanë qenë thjesht rastësi. Në vitin 1853, R. Maak, një eksplorator i njohur i kësaj zone ka shkruar: “Në Sutar (një vendbanim i Yakut) më kanë thënë se në pjesën e sipërme të Viliuy është një përrua i quajtur Algy Timirbit (që përkthehet Kazani i Madh i Zhytur) dhe që pluskon në ujërat e Viliuy-t. Në afërsi të bregut, në pyll ndodhet një kazan gjigant prej hekuri. Madhësia e tij është e panjohur, pasi vetëm një pjesë fare e vogël ndodhet mbi tokë, por disa pemë rriten në brendësi të kazanit…”. E njëjta gjë është regjistruar nga N. D. Arkhipov, një studiues i kulturave të lashta të Yakutia-s: “Në radhët e popullsisë së basenit të Viliuy-t përmendet një legjendë nga kohë shumë të lashta, që flet për ekzistencën e kazaneve prej bronzi ose olguis dhe që ndodhen në pjesën e sipërme të lumit. Kjo legjendë meriton t’i kushtosh vëmendje, pasi zonat të cilat supozohet se janë vendndodhja e kazaneve mitologjike kanë përrenj të ndryshëm dhe që mbajnë emrin Olguidakh–Përrenjtë e Kazanit”.

Eksperienca të çuditshme

“Këtu kemi një frazë nga një letër e shkruar në vitin 1996 nga një person tjetër, i cili ka vizituar Luginën e Vdekjes. Mikhail Koretsky nga Vladivostok ka shkruar: ‘Kam qenë aty tri herë. Herën e parë ka qenë në vitin 1933 kur isha 10 vjeç – udhëtova me babain tim kur ai u përpoq të fitonte ca para – dhe më pas në vitin 1937 pa babanë tim. Herën e fundit ka qenë në vitin 1947 si pjesë e një grupi të rinjsh.

Lugina e Vdekjes shtrihet përgjatë krahut të djathtë të rrjedhës së lumit Viliuy. Është një fakt që përreth tij ka një numër të madh luginash të përmbytura. Të trija herët kam qenë me një shoqërues, një yakut. Nuk shkuam aty sepse jeta ishte e mirë, por sepse në atë zonë mund të kërkoje për flori pa qenë i rrezikuar që në fund të sezonit të grabiteshe ose të haje ndonjë plumb mbrapa kokës.

Përsa i përket objekteve misterioze është e mundur që të jenë shumë të tillë, pasi çdo herë që kam shkuar kam parë ato ‘kazanet’. Ata më kanë lënë me gojë hapur, sidomos së pari, përmasat e tyre që janë nga 6 deri në 9 metra në diametër. Së dyti, ata ishin të përbërë nga një lloj metali i çuditshëm. Të gjithë kanë shkruar që metali ishte hekur, por jam i sigurtë që nuk është ashtu. E vërteta është që edhe me një daltë të mprehtë nuk mund të bësh as dhe një gërvishtje të vogël mbi sipërfaqen e atyre kazaneve (provuam më shumë se një herë). Metali nuk gërvishtet dhe as rrihet. Po të ishte hekur, goditja e çekiçit do të linte patjetër gjurmë, ndërsa ky ‘hekur’ është i veshur me një lloj materiali të panjohur që ngjason me zmerilin. Por prapë nuk mund të konsiderohet një shtresë e oksiduar dhe nga ajo nuk mund të këputet dhe as të gërvishtet asnjë gjë.

Gjatë herëve që kam qenë aty nuk kam parë tuba ajrimi që të çojnë nëpër dhoma nëntokë. Por vura re se bimësia përreth ‘kazanëve’ ishte jo normale – totalisht e ndryshme nga çfarë rritej në pjesët e tjera. Është më e bollshme: rrodhe me gjethe të gjera; shelgje shumë të gjatë; barishte të çuditshme, një herë e gjysmë ose dy herë më të larta se shtati i një njeriu. Në njërin prej ‘kazaneve’ i gjithë grupi ynë (gjashtë njerëz) kaloi natën. Nuk pamë asnjë gjë të keqe dhe e lamë atë vend pa ndjesinë më të vogël të ndonjë pakënaqësie. Më askush nuk u sëmur seriozisht. Përveç një rasti, tre muaj më pas kur njëri nga shokët e mi humbi komplet flokët. Dhe në krahun e majtë të kokës sime (krahu që fle gjithmonë) u shfaqën pika të vogla sa koka e një shkrepseje. Gjithë jetën jam përpjekur që t’i heq, por vazhdoj t’i kem edhe sot e kësaj dite.

Asnjëra nga përpjekjet tona për të shkëputur qoftë edhe një copë të vogël nga ‘kazanët’ e çuditshëm nuk dha fryt. E vetmja gjë që arrita të merrja me vete ishte një gur. Jo një gur i zakonshëm, por një gjysmë sfere me një diametër prej 6 cm. Kishte një ngjyrë të zezë dhe nuk përmbante asnjë shenjë që të ishte përpunuar ndonëse ishte shumë i lëmuar dhe i shkëlqyer. E mora nga toka në brendësi të njërit prej atyre kazanëve.

Suvenirin e Yakutia-s e mora me vete në fshatin Samarka të distriktit Chuguyevka në rajonin Primorsky (në Lindjen e Largët sovjetike), ku jetonin prindërit e mi në vitin 1933. Sillesha rrotull pa bërë asgjë derisa gjyshja ime vendosi që të ndërtonte një shtëpi. Na duhej që të vendosnim xhamat në dritare, por në gjithë fshatin nuk gjeje dot një xhamprerës. Provova cepat e gurit sferik që kisha sjellë me vete dhe ai e preu xhamin me një lehtësi mahnitëse. Mbas kësaj, zbulimi im u përdor si një diamant nga të gjithë të afërmit dhe miqtë”.

Kronikat e njerëzve të tjerë

Së bashku me shpërthimet që ndodhnin çdo 600-700 vjet, ndodhën po ashtu dhe shpërthime të ndryshme ose më saktë një mori fenomenesh komplekse. Duke gjykuar nga studimet e gjetjeve arkeologjike të kryera në rajonin e Viliuy të sipërm nga S. A. Fedoseyeva, popullimi intermitent shkon mbrapa në kohë në mijëvjeçarinn e katërt p.e.s. Në mijëvjeçarin e parë të erës sonë linja e zhvillimeve historike është ndërprerë dhe kjo nuk bie në kontradikta me datën e mundshme të ngjarjes së fundit historike, shpërthimi i shtatorit 1380. Reja që u ngrit errësoi diellin mbi gjithë Europën për disa orë. Në disa zona të njohura për aktivitete gjeosizmike pati tërmete shumë të fuqishme. Kjo ngjarje është regjistruar me shkrim. Në kronikat ruse koinçidon me Betejën e Fushës Kulikovo: “… errësira u shpërnda vetëm në gjysmën e dytë të ditës. Filloi të frynte një erë kaq e fortë saqë një shigjetë e lëshuar nga harku nuk mund të shkonte kundër saj”. Ky faktor dha një kontribut pozitiv në fitoren e rusëve. Sidoqoftë shpërthimet janë përshkruar më gjerësisht dhe nga shumë burime në legjendat tunguse.

Duke gjykuar nga dokumentet ato kanë qenë shumë më të fuqishme se armët moderne bërthamore./LajmeOnline