Ministrat me Ramazan

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kamerieri i bufesë së qeverisë i cili zakonisht e shërben kabinetin qeveritar në fillim të mbledhjes, i ka kthyer prapa 6 kafe të porositura. Arsyeja: disa prej ministrave të Qeverisë agjërojnë Ramazanin!
Ata thonë se nuk e kanë të vështirë t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë para vetës, pavarësisht se këtë muaj ia kanë shtuar vetës edhe një obligim ndaj parimit islam, siç është agjërimi i muajit të shenjtë, muajit Ramazan.

Ministrat e kabinetit Thaçi nuk po i pengojnë as temperaturat e larta atmosferike, e as aktivitetet e shumta politike, sidomos ato në përmbushjen e agjendës për liberalizim të vizave, që t’i përkushtohen me tërë shpirtin e tyre për të përmbushur edhe një ndër obligimet e parimit islam.

Pra janë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ministrat Mahir Jagxhillar, Ferid Agani, e në disa raste edhe Memli Krasniqi, ata që janë më së shumti të përkushtuar përveç politikës, edhe me nder të kryejnë edhe obligimet fetare.

Megjithëse nuk janë të shumtë në numër, megjithatë edhe në kabinetin e Thaçit ka të atillë që kanë filluar të agjërojnë Ramazanin. Ata që tashmë dihen se me vite i përkushtohen edhe islamit, mbajnë edhe poste politike e institucionale dhe nuk e shohin si “pengesë” në punën e tyre agjërimin e Ramazanit, shkruan sot gazeta “Bota sot”./LajmeOnline/