Milan, Galliani: Në repartin e sulmit, mungon vetëm Messi

loading...

galliani

loading...
Ëndrrat e verës për Adriano Gallianin janë të lidhura ngushtë me realitetin, aq sa edhe një punëtor i etur si ai i ka lejuar vetes disa ditë pushimi në bregdet. Por ndryshe nga herët e tjera, administratori i Milanit duket i dorëzuar në lidhje me objektivat, edhe pse e vetmja shpresë është ajo që lidhet me japonezin e CSKA-së së Moskës, Kejsuke Honda. Mirëpo dje është ndalur të bëjë edhe rolin e analistit të merkatos.

“Ibrahimoviç në Itali? Një rikthim i tiji është i pamundur në këto momente, duke parë shifrat, të cilat nuk përmbushen kurrsesi në Itali, as nga Juventusi, as nga ne, as nga askush”. Si gjithmonë mungojnë paratë, me bombera dhe kampionë të mëdhenj që janë të destinuar të lënë Serinë A. Por, nëse do t’i duhej të bënte një sforco, për Milanin, skuadrën e tij të zemrës, ai zgjedh më të mirin: “Duke parë luksin që kemi në sulm, mendoj se i vetmi që do gjente hapësirë do ishte Lionel Messi. Argjentinasi do ishte lojtari ideal për të luajtur pas shpatullave të dy sulmuesve tanë, – thekson Galiani, i cili më pas vazhdon. – Honda? Për momentin ne e kemi të pamundur të investojmë, prandaj nëse ndonjë nga sponsorët e tij nuk vihet në punë për ta afruar në grup gjatë verës, atëherë do na duhet të presim janarin. Robinho? I kërkova rinovimin dhe duke parë që vjet nuk bëri shumë në fushë, për ne ai është një blerje e re. Këtë gjë e kemi biseduar kokë më kokë dhe presim shumë prej tij. Strotman iku te Roma? Komplimente drejtuesve verdhekuq për këtë goditje, por ne nuk i kishim 20 milionë euro, përndryshe vështirë t’ia linim. Realisht na pëlqente, po ja që nuk kishim para. Ne përforcime? E thashë, Milani ka një sulm luksi, pa harruar se përveç Ballotelit, El Shaarawyt dhe Robinhos, presim rikuperimin e Pacinit, një lojtar që është tepër i rëndësishëm për ne”.

Më pas, numri dy i Milanit është dakord me tifozët interistë që nuk e duan miliarderin Erik Tohir te zikaltrit: “Nuk jam në dijeni të tratativës së Moratit me këtë personal. Por mund të them se Moratti ka bërë gjëra gjigande për Interin. Interi ka fituar shumë falë tij. Besoj se tifozët e Milanit dhe të Interit duhet t’i ndërtojnë një monument Berlusconit dhe Morattit, sepse të mos harrojmë që jemi qyteti që ka fituar më shumë Kupa Kampionesh se kushdo tjetër në glob”.


Milani bën “manita” në testin e parë

Milani fiton në shifrat 5-1 testin e parë të këtij viti përballë diletantëve të Pergoletezes, të cilët stërviten nga një emër i madh si ish-juventini Alesio Takinardi. Kuqezinjtë e Allegrit që kanë mbetur jetime e lojtarëve që luajtën në Kupën e Konfederatave (vazhdojnë të jenë me pushime), ofrojnë një paraqitje pozitive, nën një shi të rrëmbyer, duke ua falur golave të Traores, Emanuelsonit, Robinhos, Boatengut dhe Petanjës. Për rivalët, golin e nderit e shënoi Zanola në sekondat e fundit.

Allegri rreshtoi në pjesën e parë një formacion 4-3-1-2 me Robinhon dhe Niangun në vijën e parë të sulmit, por me brazilianin që ofroi volum loje, por edhe një supergol; stopim dhe e djathtë perfekte nga 20 metra. Ky ishte goli i tretë për kuqezinjtë, që e mbyllën pjesën e parë në shifrat 3-0, ndërkohë që përpara Robinhos shënuan Traore dhe Emanuelson. Sulmuesi kuqezi tentoi në të njëjtën mënyrë pak sekonda më pas, por këtë herë sfera kaloi vetëm pak milimetra larg kuadratit. Në pjesën e dytë, Allegri rreshton një 4-3-3, duke konfirmuar Robinhon, ndërsa në sulm hodhi të riun Petanja dhe Emanuelson. Në këtë moment nis edhe një shi i rrëmbyer, por Milani ka muskujt për ta përballuar, teksa në fushë shihet edhe ganezi Boateng. Në këtë fraksion loje këmbët xhirojnë më ngadalë, ndonëse minutat fluturojnë. Në të 61-ën, Boateng dërgon shifrat në 4-0, duke u transformuar në një hajdut zone, teksa përfiton nga një bllokim i munguar nga portieri kundërshtar. 15 minuta nga fundi dhe rezultati thellohet në 5-0, me të riun Petanja që fillimisht gabon nga 11 metrat, por që e korrigjon gabimin, pasi sfera e grushtuar nga portieri i rikthehet sërish mes këmbëve. Mirëpo ka festë edhe për skuadrën e Takinardit, me Zanolan në të 89-ën që mposht Gabrielin dhe feston sikur të ishte goli i fitores. Prova e parë për Milanin kalon pozitivisht, por më pozitive janë përgjigjet e brazilianit Robinho, i freskët nga rinovimi. Allegri beson ende shumë te sulmuesi, aq sa në “Milanelo” ka nisur të përflitet se ka qenë pikërisht trajneri ai që e ka dashur akoma pjesë të ekipit.

Me El Shaarawyn që duket se e ka humbur magjinë e tij dhe në pritje të rikuperimit të Pacinit nga dëmtimi, Allegri kërkon ta nisë sezonin e ri me dyshen Robinho-Balloteli. Kundrejt “Faraonit”, Robinho ka më shumë eksperiencë dhe di të shprehet në mënyra të ndryshme në zonë, prandaj me shpresën se Honda do jetë në “Milanelo” që në verë, kjo trio në skemën 4-3-1-2 mund të jetë ajo titullare. Për më tepër, Botërori 2014 që afron mund ta ekzaltojë “Binhon”, aq sa mbi këtë bazë duket se ka edhe një pakt mes Allegrit dhe sulmuesit të tij. Trajneri ka premtuar se do i japë sërish besim Robinhos, ndërsa ky i fundit i është zotuar se do kthehet lojtari xhol që i dhuroi Allegrit titullin në vitin e tij të parë në Milano. Pas debateve në sezonin e kaluar dhe disa zënkave mes tyre, kreu i pankinës së “Djallit” nuk ka dashur ta tradhtojë brazilianin, sepse “Max” beson verbërisht tek ai. Dhe pasi marrëdhënia mes tyre është ngjitur këtë verë, aq sa lojtarit iu rinovua edhe besimi deri në 2016-ën, Robinho dhe Allegri janë gati të nënshkruajnë një pakt të ri, një pakt që shpresohet të ringjallë sulmuesin dhe Milanin, ndonëse ai që do vuajë nga kjo mund të jetë El Sharaawy, i cili sa vjen e humb pikë kundrejt shokëve të repartit.

loading...