Milan, Barbara tremb tifozët: Duhen para, jo tituj!

0

Futbolli, sipas Barbara Berluskonit. Në pak fjalë: të ardhurat janë të nevojshme, ndërsa mund të bëhet edhe pa tituj. Administratorja e deleguar e “Djallit’ dhe vajza e presidentit Silvio, ka një ide të qartë për mënyrën se si do të jetë klubi i së ardhmes. “Ky është një sektor në zhvillim e sipër, në të cilin ka ende shumë për të bërë. Biznesi ynë është futbolli, por ka shumë aktivitete të veçanta që mund të sjellin shumë të ardhura, siç janë shitja e fanellave dhe sponsorizimet. E rëndësishme nuk është vetëm që ne të fitojmë tituj, por edhe të bëjmë para”, deklaroi drejtuesja kuqezi për revistën “Vanity Fair”, në Spanjë.

Këndvështrimi i vajzës së presidentit është i qartë dhe i kuptueshëm. Ajo në klub merret me anën komerciale dhe objektivi i saj është që t’i mundësojë shoqërisë aksionare të Milanit që të mund të vetëfinancohet, duke qenë se për shumë vite, përfshirë këtu edhe të fundit, kompania ‘Finivest’ është detyruar që të mbyllë vrimat financiare. Nga ana tjetër, edhe vetë tifozët e kanë kuptuar se pa para, është e pamundur që të dominosh merkaton si njëherë e një kohë dhe të mund të fitosh tituj kthehet në diçka të paarritshme.

Mënyra se si e gjykon një tifoz është totalisht ndryshe nga ajo e një drejtuesi. Për atë që valëvit flamurin e Milanit, duhet që të bëhen para, por kjo me qëllimin e vetëm që të mund të blihen lojtarë të aftë për të fituar tituj dhe kjo është gjëja e vetme që ka rëndësi realisht. E për fat të keq për mbështetësit kuqezinj, pas vuajtjeve të sezonit aktual, parashikimet e merkatos në verën e ardhshme nuk të bëjnë të mendosh për një kthim të kohëve të arta të përforcimeve me bujë. Për ditë me radhës është folur për mundësinë e largimit të Kakasë, i tërhequr nga ofertat e kampionatit amerikan. Për më tepër që klubi është në hall të madh, pasi nuk ka momentalisht mundësi që të blejë përfundimisht futbollistët e huazuar. Në të tillë situatë, ka shumë rëndësi që Milani të jetë i “shëndetshëm” financiarisht.