Milaim Zeka: Pse rren Blendi Fevziu?! (FOTO/VIDEO)


Shkruan: Milaim Zeka
Saherë dëshironi të dëgjoni ndonjë rrenë të historisë politike, hyni tek Blendi Fevziu, Mero Baze, Baton Haxhiu, dhe Veton Surroi, e të tilla do të gjeni me bollëk.
Kësaj radhe po ndalemi tek rrenat e Blendi Fevziut. Ai në vitin 2008, ka botuar një shkrim me titull: Si e njoha Hashim Thacin? Artikulli, pothuajse fund e krye është gënjeshtër.
Rrena e parë, është ajo ku Blendi thotë që Hashim Thaçi kishte ardhur me një delegacion të UÇK së në vitin 1997, dhe ishte pritur në zyrat e Fatos Nanos. Në atë kohë nuk ka pasur asnjëherë ndonjë delegacion të UÇK së, dhe aq më pak të jetë pritur në zyrat e Fatos Nanos.
Është presidenti Mejdani ai i cili kishte pritur në zyrat e tij, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar, një delegacion të Lëvizjes Popullore të Kosovës, por as në këtë delegacion nuk bënte pjesë Hashim Thaçi. Me pjesën e UÇK së, i pari kontakt në Shqipëri ka qenë Xhavit Haliti, i cili ishte dërguar në zyrat e Sherbimit Informativ Kombëtar, përmes vëllait të Tan Leprit, avokat i njohur në Shqipëri. Por kjo është temë tjetër.
Blendi Fevziun dhe Andi Bushatin, për herë të parë i ka takuar, dhe i ka njoftuar, shefi i Shërbimit të Sigurimit të Delagacionit në Rambuje, Naim Muja, përndryshe vëllai i deputetit të kuvendit aktual të Kosovës, Shaip Muja. Naimi dhe Shabani për ne kanë qenë personazhe shumë herë më të njohura se shumë anëtarë të tjerë të delegacionit.
Ne sa kishim ardhur nga Parisi. Në Tiranë ishte pothuajse gjendje lufte. Ekzistonte një frikë e madhe mbi mundësinë që shërbimi serb do të tentonte të vriste ndonjë nga anëtarët e delegacionit. Rugova ishte nisur për në Prishtinë, ndërsa të gjithë ne të tjerëve na kishin shpërndarë nëpër vende të ndryshme si ndërtesa e njohur si ish vila e Enver Hoxhës, apo lokacione të tjera. Këtë gjendje e kishte bërë akoma më serioze dhe më dramatike edhe tentim atentati ndaj Hashim Thaçit në Paris. Natën e atentatit, mbas gjithë sa ndodhi, unë, Hashim Thaci dhe Naim Muja, fjetëm në të njëjtën dhomë të hotelit në Paris, për të mos e lënë vetëm njëri tjetrin. Thjesht për siguri! Kjo ngjarje ndodhi në përfundim të Konferences në Rambuje, në raundin e parë të bisedimeve.
Pra, lëvizjet brenda e jashtë Kosovës tashmë ishin bërë normale. Meqënëse NATO kishte arritur gjunjëzimin e Serbisë, tani po planifikohej që një pjesë e madhe nga ne të hynim nëpërmjet Maqedonisë. Unë isha kthyer nga Kosharja dhe kisha mbërritur në Tiranë. Delegacioni ishte ndarë në dy pjesë. Hashim Thaçi me njërën, dhe Jakup Krasniqi, unë, Bajram Kosumi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, dhe disa të tjerë, me pjesën tjetër. Për fat, i kam të gjitha inçizimet.
Rugëtimi në hyrje të Kosovës ishte dramatik. Përplot ushtarë serbë në të katër anët. Ne po hynim nga toka, ndërsa Thaçi me të tjerët, po vinin me helikopter në Berishë, aty ku ishte Shtabi i UÇK së. Bashkë me Thaçin ishte edhe James Rubin.
1