Migron djali nga Dukagjini që paguhej 650 euro (Video)

Passport.jpg1

Rezoluta që pengon migrimin ilegal të kosovarëve e miratuar në Kuvendin e Kosovës të enjten e pesë shkurtit nuk ua ndërroi mendjen atyre që kanë vendosur të dalin jashtë vendit. Një i ri nga Dukagjini nuk priti që rezoluta kundër migrimit të miratohej dhe t’i shihte efektet e mundshme të saj.

Ai të mërkurën u largua nga Kosova, edhe pse për punën që bënte në vend paguhej mbi mesataren e pagave kosovare.

Duke mos dashur të prezantohej, ai në autobus gjatë rrugës drejt Merdarit tregoi për KALLXO.com se merrte 650 euro me të cilat përveç vetes mbante edhe prindërit dhe dy motrat e tij.

Tha se nuk largohej për pagë më të lartë, por nga pasiguria gjatë kryerjes së punës.

“Nuk ka qenë puna e pareve, e rrogës, por në fund çka të ka mbetë, je lëndu dhe është dashtë vetë me pagu shpenzimet e mjekut. Ndoshta njëherë në javë e kam pasë jetën në rrezik dhe kurrë s’kom pas dëmshpërblim, s’di çka është me të çu aj njeri tek mjeku,” ankohej për shefin dukagjinasi.

Përmendi edhe mungesën e perspektivës dhe hilet në universitet si arsye për largim.

“Fakultete i kam dy bile, Elektron dhe Arkitekturën, i kam të regjistruar, arsyeja pse i kam ndërpre është se e kom pa që dikush pa mësuar hiq ka dhënë para dhe i ka kaluar provimet,“ vijoi të flasë ai.

Rrugën e njëjtë me djalin nga Dukagjini e mori edhe Argjend Tahiri, nga komuna e Podujevës. Por Argjendi nuk ishte vetëm, por bashkë familjen.

Tahiri kishte rrëfim tjetër për arsyet e ikjes.

“Jemi nis për Gjermani, jam me familje, jemi 5 anëtarë, jemi krejt me fakultete, por këtu s’ka punësim. Vendosem me ikë, shkaku i kushteve ekonomike, nuk ka mundësi punësimi. S’punon askush i familjes, ku me punu,” ankohej Tahiri.

Ndërsa Hajdar Pantina nga Gllareva e Klinës kishte dalë vetëm të shihte gjendjen në stacionin e autobusëve, si dhe të përcillte të afërmit e tij të cilët po ia mësynin kurbetit.

“Kam ardhur me i përcjellë disa familjarë e nipa. A s’po e shihni se çka po hekum a, duke na rrejt e duke na plaçkitë politikanët tanë, as bukën në gojë s’donë me na e lanë me e shti, si le më shumë. Çka gjetëm në Kosovë, rrena, dallavere, hajni, korrupsion, këta buall s’janë, qatje bile e kanë një jetë më të mirë,” flet i revoltuar Pantina.

Por ai tregon se shumë shpejt mund të jetë njëri nga këta udhëtarë.

“Tetë anëtarë jemi duke menduar komplet me shku, njëri mbas tjetrit, Ne s’punojmë kurrkund, me një lopë dhe me një hektar tokë, edhe tu prit, bëhet sot, bëhet nesër mirë dhe s’ka asgjë hiq,” thotë Pantina.

Ragip Krasniqi që e ka shtëpinë afër stacionit prej nga nisen njerëzit për kurbet tregon se ka katër net që del dhe vështron njerëzit që largohen.

“Vetëm kam dalë me pa sonte, 500-600 veta po shkojnë çdo mbrëmje nga këtu,” thotë ai.

Presidentja Jahjaga ka nisur një seri vizitash nëpër komuna në përpjekje për t’ua mbushur mendjen qytetarëve që të mos e lëshojnë vendin.

Ajo më 6 shkurt viziton Ferizajn e Vushtrrinë, ndërsa më 11 shkurt Gjilanin e Podujevën. /kALLXO.com/