Michael Laudrup, trajneri më i mirë në Premier League

Michael Laudrup

Michael Laudrup është zgjedhur trajneri më i mirë nga votat e 20 trajnerëve të Premier Leagues këtë sezon. Tekniku i Swonsit ka fituar trofeun e tij të dytë pas atij të “Capital One Cup” pak ditë më parë. Danezi, i cili ka bërë një sezon fantastik me klubin uellsian, ka marrë 46% të votave të kolegëve. Laudrup i dha trofeun e parë skuadrës së “mjellmave” në historinë e saj dhe përflitet si një nga kandidaturat më të mundshme për të zëvendësuar Jose Mourinho te Real Madridi në fund të sezonit.

Loja sulmuese që ai ka aplikuar tek Swonsi ka qenë faktor kryesor në fitimin e këtij çmimi. “Në fillim të sezonit të gjithë dyshonim nëse Suonsi do të arrinte të mbijetonte në Premier Ligë. Por kur erdhi Laudrup, ai afroi në skuadër një sulmues të talentuar si Miçu dhe fitoi trofeun e parë në historinë e klubit. Ai është një nga trajnerët me të ardhme të madhe”, – deklaroi ish-tekniku i Liverpulit dhe Aston Vilës, Zherard Hulier.

Michael Laudrup ka fituar një tjetër “trofe”, atë të blerjes më të mirë. Pavarësisht se impaktin më të madh mund ta ketë shkaktuar Robin Van Persi, 47% e teknikëve mendojnë se sulmuesi spanjoll i Swonsit, i cili është blerë vetëm 2 milionë paund, është zbulimi i Premier League këtë vit. Miçu ka shënuar 15 gola këtë sezon. Menjëherë pas spanjollit renditet Robin Van Persi. 35% e trajnerëve mendojnë se holandezi i Manchester United është blerja më e mirë e sezonit. Pas bomberit, renditet Santi Kazorla (Arsenal) me 6%, Dimitar Berbatov (Fulhem) 6%, Stiven N’Zonzi (Stok City) 6%.

Lojtari i ri më i mirë është shpallur sulmuesi i Liverpoolit, Rahem Sterling, me 52% të votave të trajnerëve. Adam Lalana i Sauthemptonit renditet menjëherë pas adoleshentit të të kuqve, me 18%. Vetëm vendi i tretë për Oskarin e Chelsea. Braziliani ka rrëmbyer 12% të votave. Ndërkohë që Stiven Koulker i Totenhemit dhe N’Zonzi i Stokut mbyllin klasifikimin me nga 6% secili.

Trajnerët kanë zgjedhur edhe modulin që ata mendojnë se ka qenë më i frytshëm këtë sezon. 58% e tyre nuk besojnë se ka një skemë të përcaktuar, duke e argumentuar se fleksibiliteti është skema më e mirë e një skuadre. 12% janë fanatikë të klasikes 4-4-2. Po e njëjta përqindje i beson suksesit me skemën 4-1-4-1, po kaq sa është votuar edhe moduli modern që aplikohet nga Manchester City, Chelsea, Totenhami, Arsenali dhe herë pas here edhe nga Manchester United 4-2-3-1. Vetëm 6% kanë votuar për skemën 4-3- 3, e aplikuar nga Liverpooli.