Messi, zbulon shumë prej sekreteve të jetës së tij

loading...

messi1

loading...
Lionel Messi ka vazhduar të thyejë rekorde. Tashmë kur i ka thyer shumë prej tyre, ka nisur e po i thyen të vetat, të cilat i ka vendosur ditë apo muaj më parë. Kështu, ka shënuar në ndeshjen e 18-të rresht në La Liga, që është rekord i ri. Në fakt, edhe me 17 ndeshje ishte rekord, por tani e përmirësoi atë.

Me dy golat e shënuar në fitoren 3:1 kundër Rayo Vallecanos, Messi zë pozitën e shtatë në listën e përgjithshme për gola të shënuar gjatë karrierës në La Liga. Në total, Messi ka shënuar 211 gola në La Liga, duke e zhvendosur Pahinon (210 gola) në pozitën e tetë. Para argjentinasit 25-vjeçar renditen Telmo Zarra (251), Hugo Sanchez (234), Raul Gonzalez (228), Alfredo Di Stefano (227), Cesar Rodriguez (223) dhe Quini (219).

Pas rekordit të ri, Messi ka dhënë një intervistë ekskluzive për një televizion argjentinas, duke zbuluar shumë prej sekreteve të jetës së tij. Ai ka folur për babanë e tij, Jorge, djalin e sapolindur Thiago, mungesën e trajnerit Tito Vilanova dhe për lotët që derdhi për Argjentinën.

Messi për veten
“Unë jam kritiku më i madh i vetes, pa marrë parasysh nëse luaj mirë apo keq. Jam gjaknxehtë. Inatosem shumë shpejt, pasi nuk kam dëshirë të humb kurrë. E di se nuk kam luajtur mirë për Argjentinën, por nuk isha i vetmi. Tërë ekipi luajti dobët. Njerëzit dhe mediumet prisnin nga unë që të dilja në fushë dhe i vetëm t’i fitoja ndeshjet, por kjo kurrë nuk ka ndodhur. E dija se nuk po e jap maksimumin, por isha i pari nga ekipi që doja të luanim mirë”.

Messi për babanë, Jorge
“Për plakun tim, unë kurrë nuk luaj mirë. Prej kur kam qenë fëmijë, ai nuk është i kënaqur me lojën time. Edhe nëse shënoj katër gola, babai im gjen një detaj për të më kritikuar”.

Messi për djalin, Thiago
“Më kanë thënë se të kesh djalë është gjëja më e bukur në botë që mund t’i ndodhë dikujt, por e vërteta është se derisa nuk ke fëmijë nuk e kupton se çka do të thotë kjo”.

Messi për Barcelonën

“Ekipet që kanë aplikuar lojë defensive dhe janë mbrojtur gjatë tërë kohës janë të komplikuara dhe na kanë mposhtur. Chelsea dhe Interi i Jose Mourinhos. Mirëpo, edhe Milani e Real Madridi kanë luajtur në mënyrën e njëjtë kundër nesh. Nganjëherë e paguajmë çmimin për shkakun se nuk dimë të luajmë në mënyrë tjetër, por vetëm të sulmojmë gjatë tërë kohës”.

Messi për Vilanovën
“Lojtarët te Barça e njohin njëri-tjetrin dhe mund të luajnë përmendësh, por duhet të kemi një trajner për detajet tjera. Ne e respektojmë Jordi Rouran, pasi po mundohet të fitojë çdo ndeshje, por mungesa e Vilanovës na ka goditur shumë. Vilanova është shumë inteligjent dhe e njeh mirë lojën e futbollit. Ai është ndryshe nga Pep Guardiola dhe e ka mënyrën e tij për të transmetuar mesazhin te lojtarët”.

Messi për shokun më të mirë, Agueron
“Sergio Aguero është miku im më i mirë. Ai më bën të qesh. Jemi shokë prej kohës kur ishim pjesë e ekipit U-14 të Argjentinës. Jemi shumë të ndryshëm, pasi unë jam shumë më i qetë, kurse ai nuk është tip i tillë”.

Messi për lotët që derdhi
“Kam qarë shumë herë dhe kjo vetëm për Përfaqësuesen e Argjentinës. Në Botërorin 2006, Argjentina luajti shumë mirë, por u eliminua nga Gjermania pas penalltive. Ndërsa, në vitin 2010 ndodhi gjëja e njëjtë. Po, kam qarë, por edhe të tjerët kanë vepruar sikur unë”.

Messi për psikologun
“Kurrë në jetën time nuk kam shkuar te psikologu, pasi nuk kam nevojë. Nuk dua të flas me të për gjërat e mia”.

Messi për të ardhmen
“Kam dëshirë të rikthehem në Rosario për të jetuar. Djali im shkollimin do ta fillojë në Barcelonë dhe nuk e di çka do të ndodhë. Ndihem mirë në këtë vend, pasi jam një kohë të gjatë këtu. Mirëpo, gjithmonë kam dëshirë për t’u rikthyer në vendlindje”.

Messi për zëvendësimin
“Nuk kam dëshirë të zëvendësohem. Dua të luaj gjatë tërë ndeshjes, pavarësisht rezultatit. Jam nervozuar shumë kur qeshë zëvendësuar nga Guardiola kundër Valencias, të cilën ishim duke e mposhtur me rezultatin 4:0. Frustrimin tim ia kam shprehur edhe Guardiolës dhe nuk jam pishman për këtë”.

loading...