Messi s’është harxhuar

Ikona kroate e futbollit, Robert Prosinecki, ka dalë në mbrojtje të yllit argjentinas, Lionel Messi, pasi ky i fundit nuk ia doli ta fitojë Kupën e Botës e as çmimin “Goal 50”.

Ish mesfushori i Real Madridit dhe Barcelonës, insiston se ditët më të mira të Messit akoma nuk kanë përfunduar, përkundër asaj që rivali i tij Ronaldo e fitoi çmimin “Goal 50”, si futbollisti më i mirë i sezonit 2013/14.

“Jo nuk besoj që Ronaldo e ka tejkaluar Messin”, ka thënë Prosinecki për uebfaqen “Goal.com”.

“Do t’i vendosja Messin dhe Ronaldon në të njëjtin nivel. Ata janë lojtarë të ndryshëm, që luajnë në pozita të ndryshme”, vazhdoi legjenda kroate, i cili mendon se braziliani Ronaldo është lojtari më i mirë me të cilin ka luajtur përkrah.