Messi jo më i paprekshëm, te Barcelona mendojnë shitjen

0

Tashmë nuk është më një tabu që te Barcelona të flitet për shitje të mundshme të Lionel Messit. Në javët e fundit, në hierarkinë e blaugranave është diskutuar dhe nuk do të shikohej aspak me sy të keq mundësia e hapjes së portave për atë që deri tani konsiderohej i paprekshëm, me opsionin e largimit ndoshta menjëherë pas përfundimit të Botërorit.

Eshtë ky realiteti i sotëm, diçka që as që mund të çohej ndërmend më parë dhe ofertat për Messin kurrë nuk kanë munguar. Paris Saint Germain, Reali i Madridit, Manchester City e Chelsea janë disa prej klubeve që kanë tentuar ta joshin, por klauzola e panegociueshme prej 200 milionë Eurosh i ka mbajtur larg të gjithë ata që kanë dëshiruar shërbimet e yllit argjentinas.

Nga zyrat e drejtuesve të Barçës në Camp Nou janë duke u shqyrtuar të gjitha pasojat financiare që do të shkaktonte humbja e një prej figurave kryesore siç është Messi, pa harruar të ardhurat stratosferike vetëm nga imazhi i tij. Prej pak kohësh, klubi dhe Jorge Messi janë në negociata për rinovimin me një pagë që do të shkonte deri në 25 milionë Euro për sezon. Sipas të përditshmes spanjolle AS, nga brenda klubit katalanas informojnë se Messi është i lumtur dhe dëshiron qëndrimin deri në momentin për ta mbyllur karrierën në Argjentinë me Newell’s Old Boys, ndërsa një version tjetër konfirmon se negociatat po shkojnë mirë për ta bërë 4 herë fituesin e Topit të Artë, futbollistin më të paguar në botë, pra rinovim me 25 milionë Euro në vit.

Duket situatë vërtet e komplikuar te Barça, një tenxhere me presion që zien prej kohësh dhe që mund të plasë nga momenti në moment. Me sjelljen e tij në disa raste, Messi ka shkaktuar qejfmbetje në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që në të njëjtën kohë edhe ai vetë ka pakënaqësi në drejtim të klubit. Jo gjithçka paguhet me para, milionat që merr, numri 10 i Barçës është gati t’i shumëzojë me zero në momentin që ndihet i pambrojtur nga shtëpia e tij dhe kritikat në këto orë të fundit nuk kanë munguar, sidomos pas humbjes në El Clasicon e Kupës së Mbretit, ku sulmuesi u shndërrua në hijen e vetvetes.

E çfarë mund të ndodhë me të ardhmen e Messit, mbetet veç të presim, edhe themelet mund të lëvizin te Barça.