Mesazhi në Twitter i kushton vendin e punës policit brazilian

twitter

Një inspektor policie në Brazil ka humbur vendin e tij të punës pasi përdori rrjetin social Twitter për të kritikuar gratë që punonin për të.

Sipas BBC, Pedro Paulo Pinho kishte shkruar se nga 14 gra që punojnë për të në policinë e Rio de Zhaneiros, vetëm njëra ka talentin, kurajën dhe vendosmërinë e nevojshme për të punuar në polici.

Drejtuesja e policisë së Rios, një femër, e zëvendësoi atë me një oficere femër.

Pinho kërkoi falje për gratë që janë ndjerë të ofenduara, por tha se mesazhet e tij janë keqinterpretuar.

Inspektori Pinho tha se ai ishte zemëruar veçanërisht me një police, që ishte problematike.

Por shefja e policisë në Rio, Martha Rocha, tha se veprimet e tij janë të papërshtatshme për një drejtues policie.

Ajo tha se ai është hequr nga puna pasi nuk është i aftë në menaxhimin e burimeve njerëzore në dispozicionin e tij.