Mesazhi i fundit i nxënëses gjermane para se të vdiste

Një nxënëse gjermane që ndodhej në bordin e aeroplanit Germanwings i kishte shkruar shoqes së saj se “mezi pres të kthehem në shtëpi”, para se aeroplani të rrëzohej në Alpet Franceze.

Shumë nga 16 nxënësit u shkruan shokëve të tyre në Gjermani pasi hipën në aeroplan. Ata u treguan atyre se u mungonte vendlindja dhe se shokëve u kanë blerë shumë dhurata nga Spanja, si kujtim nga udhëtimi i tyre.

Mesazhet e fundit të nxënëses gjermane janë publikuar një ditë pas rrëzimit të aeroplanit në të cilën ndodheshin 150 persona.

Në mesin e të vdekurve është edhe 16-vjeçarja Elena Bless, të cilën shokët e klasës e kanë përshkruar si “vajzë të lumtur” që ëndërronte të shkonte në universitet dhe të shëtiste botën, shkruan Daily Mail, transmeton Koha.net.

“Ajo më ka shkruar mesazhe në WhatsApp dhe Snap Chat. Ishte shumë e lumtur për udhëtimin. Udhëtimin e saj e ka kaluar mirë”, ka thënë shoqja e ngushtë e Elenës, Philippa.

“Ajo më dërgoi fotografi të grupit së bashku nëpër vende të ndryshme. Dukeshin sikur kanë kaluar shumë mirë”, ka shtuar ajo.

Philippa, e cila ishte në të njëjtën klasë me Elenën, por nuk shkoi në udhëtimin fatkeq. “Elenës i pëlqente gjuha spanjolle. Ishte shumë e lumtur dhe kishte karakter pozitiv”.

“Ajo donte të shëtiste botën dhe të studionte. Ne mezi prisnim të takoheshim dhe të më tregonte fotot e udhëtimit”.

Por veç një orë pasi u nisën nga Barcelona, aeroplani Germanwings u rrëzua në Alpet franceze, duke u vrarë 150 personat që ishin në bord.

Studentët e gjuhës së bashku me dy mësuesit e tyre ishin në mesin e 72 gjermanëve që ishin në aeroplan.

“Shumë nga shokët tanë na shkruan nga aeroplani se mezi prisnin të vinin në shtëpi. Ata thoshin: ‘Ne kemi blerë shumë dhurata për ju’”, thotë Philippa.

“Ata ishin të lumtur që po ktheheshin në shtëpi për tu takuar me shokët dhe thanë se u mungonte familja”, shtoi ajo.

“Elena dhe shokët tjerë planifikonin të ktheheshin. Nuk mund të besoj se nuk do të kthehen më”, ka thënë veç të tjerash Elena që nuk mund t’i përmbante lotët./KOHA/

step5